Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ARBEN FETOSHI: KRISHTLINDJA SI LITURGJI E DESTABILIZIMIT

ARBEN FETOSHI: KRISHTLINDJA SI LITURGJI E DESTABILIZIMIT

SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
(Instrumentalizimi i fesë në strategjinë serbe kundër Kosovës)
Nxitja e përçarjes mbetet një instrument sistematik, i planifikuar dhe shumëdimensional në strategjinë e Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
Narrativat e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare, që e kanë penguar deri më tani integrimin e komunitetit serb, për ta instrumentalizuar kundër Republikës së Kosovës, janë shoqëruar me “viktimizimin” perfid për gjoja Kosovën “terroriste” dhe që “cenon” liritë fetare, për shqiptarët si “ekstremistë islamikë”, dhe së fundmi edhe për diasporën shqiptare si “ndërhyrje” kundër mirëkuptimit e bashkëjetesës në Kosovë.
Derisa “përçarja ndëretnike” është themeli i strategjisë – mediat serbe e kornizojnë Kosovën si kërcënim për serbët lokalë, sepse duke e penguar integrimin e tyre, e “justifikojnë” ndërhyrjen e Beogradit – “përçarja ndërfetare” ngërthen rolin aktiv e të sofistikuar të Kishës Serbe, në tendencën për ta portretuar Kosovën si radikale dhe jo tolerante në sytë e ndërkombëtarëve.
Këto dy konstante në strategjinë e destabilizimit, amplifikohen veçanërisht në periudha festash si Krishtlindja Ortodokse sot, kur pretendimet për “ngacmime e presione” të Gjuriqit apo për triumfin e “Mbretërisë Qiellore” të peshkopit Ilarion, mund të receptohen më lehtë në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Në vend që festat të jenë momente reflektimi për paqen e bashkëjetesën, Krishtlindja Ortodokse instrumentalizohet në strategjinë e “viktimizimit”, për të nxitur përceptimin e “rrezikut” ndaj besimit ortodoks dhe trashëgimisë fetare serbe në Kosovë.
Përmes deklaratave të sinkronizuara, zyrtarët shtetërorë, përfaqësuesit e Kishës Serbe dhe mediat, konstruktojnë narrativën e “rrethimit” e “persekutimit”, për ta mbajtur komunitetin serb në gjendje izolimi e frike të përhershme.
Prandaj, përçarja ndërfetare është mjet i sofistikuar i luftës hibride të Serbisë, që synon ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe të nxisë dyshime te partnerët perëndimorë.
Në shoqëritë normale, festat fetare e forcojnë kohezionin shoqëror, mirëpo në rastin e Serbisë, ato keqpërdoren si “armë” në emër të Zotit.
Por, Krishti nuk është serb, Kosova nuk është Serbi dhe Serbia nuk është Mbretëria Qiellore në Tokë.
Sa më parë të zgjohen nga kjo letUrgji e marrëzisë, që e predikon Zotin sipas qëllimeve hegjemoniste, aq më mirë për reflektimin dhe integrimin e tyre fillimisht, por dhe aq më sigurt për normalizimin e për paqen në Ballkan.
Demaskimi i kësaj strategjie mbetet thelbësor për stabilitetin rajonal: liria dhe toleranca fetare në Kosovë ka qenë, është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kulturore, jo thjesht garanci kushtetuese.
Megjithatë, një kundërpërgjigje e qartë, e bazuar në faktin historik të respektit të shumicës ndaj besimeve në Kosovë, është e domosdoshme për ta neutralizuar strategjinë e përdorimit të festës si mjet destabilizimi.
(Autori është drejtor i Institutit Octopus)