Arben Fetoshi e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm strategjik vendimin e Kuvendit të Kosovës për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misionin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Sipas Fetoshit, ky vendim përfaqëson një shprehje të qartë të orientimit strategjik të Kosovës dhe njëkohësisht dëshmon unitetin e forcave politike në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.
Ai thekson se përmes këtij angazhimi, Kosova po dërgon një mesazh të fuqishëm përballë kërcënimeve hibride serbo-ruse, duke tejkaluar sfidat që lidhen me konsolidimin e saj ndërkombëtar.
“Ndonëse një shtet i vogël, Kosova po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin global,” vlerëson Fetoshi.
Sipas tij, rëndësia nuk qëndron gjithmonë te madhësia apo kapacitetet ushtarake, por te forca e partneritetit dhe përkushtimi ndaj vlerave të lirisë.
Pjesëmarrja në një nga zonat më të ndjeshme të botës, sipas Fetoshit, e afirmon Kosovën si një partner të besueshëm përkrah aleatëve ndërkombëtarë dhe fuqive kryesore që e mbështesin atë.
Në fund, ai thekson se ky vendim reflekton qartë vlerën e partneritetit strategjik dhe aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, duke shtuar se çdo narrativë tjetër është “propagandë, përralla apo ëndrra të këqija”.