Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Arben Fetoshi: Asnjë luftë për çlirim nuk mund të ketë sukses pa bashkim

Arben Fetoshi: Asnjë luftë për çlirim nuk mund të ketë sukses pa bashkim

Rreziku më i madh që u kanoset shpeshherë luftërave çlirimtare është nëse ato degjenerojnë në fraksione dhe rryma të brendshme ndërmjet vete. Ky kërcënim mund të ketë sidomos pasoja fatale, për popuj të vegjël, fati i të cilëve kalon nëpër orën tragjike të historisë së madhe.

Atëherë energjitë e brendshme fragmentarizohen dhe shndërrohen në pengesë për jetësimin e një ideali madhor siç është çlirimi dhe dëbimi i pushtuesit. Kështu rivalizmi për çështje taktike e dëmton qëllimin strategjik.

Me të shpërthyer lufta çlirimtare në vitin 1998, pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, peshën e këtij skenari e kishin ndjerë një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës.

Prandaj, me synim që ta shmangin me çdo kusht këtë opsion fatal, ata u angazhuan për ta shtruar shtratin e bashkimit të të gjithave organizatave që ishin angazhuar në këtë mision sublim kombëtar. Sepse në atë kohë në Kosovë vepronin disa organizata çlirimtare, por që u mungonte një strukturë unike dhe e përbashkët.

Kështu, tejkalimi i kësaj sfide shtrohej si një detyrë historike dhe obligim i domosdoshëm me qëllim që fronti çlirimtar të ishte sa me unik. Jetësimin e këtij vizioni e rrëfen Arben Fetoshi, atëbotë student se si u angazhua për përafrimin e UÇK-së dhe LKÇK-së.  Kjo marrëveshje u nënshkrua me 11 maj të vitit 1998. Kjo marrëveshje e integroi gjithë infrastrukrën e LKÇK-së nën kupolën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Madje, sipas Arben Fetoshit nuk mund të mohet fakti se para dakordimit të kësaj marrëveshje, kishte pasur një komunikim të vështirë ndërmjet strukturave operative të të dy palëve në terren. Mirëpo, që ato u sheshuan me kohë. Dhe kështu u përmbush misioni madhor i shqiptarëve të Kosovës; çlirimi dhe krijimi i shtetit.

E në fund duhet të themi se asnjë nga këto arritje nuk do të ishin bërë të mundshme pa dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së. Prandaj, mbrojtja, ruajtja, kujtimi dhe përjetësimi i këtyre vlerave në panteonin e kujtesës kombëtare është më i domosdoshëm se kurrë, sepse me ketë thesar lidhet njëra nga fitoret më të mëdha të popullit shqiptar në fund të shekullit 20-të.

/TV Arbëria