Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së xhaxhait nga nipi i tij në Malishevë

Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së xhaxhait nga nipi i tij në Malishevë

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë -Departamenti për Krime të Rënda për rastin e privimit nga jeta të xhaxhait nga nipi i tij, në fshatin Kijevë të Malishevës.

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit me numër të lëndës 2023:099105, të dt.18.06.2024, ka shpallur fajtor të akuzuarin B.B., për veprat penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të KPK, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 21 (njëzetenjë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim prej dt.28.04.2023, e tutje, por jo më shumë se sa dënimi i shqiptuar me burgim.

Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.465/2024, të dt. 03.10.2024, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, të dt.18.06.2024, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim.

Ndërsa ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë–Departamenti i Krimeve të Rënda, përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara, S.A. dhe O.B., av.Ismet Tofaj, si dhe mbrojtësit së të akuzuarit B.B., av.Nuhi Krasniqi, i ka vlerësuar tani për tani si jo lëndore. Po ashtu, me aktvendim të posaçëm ka vendosur që të akuzuarit të lartcekur t’i vazhdohet paraburgimi.

Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se, aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.

Kjo gjykatë, pas vlerësimit të të gjitha ankesave të ushtruara dhe sipas detyrës zyrtare ka ardhur në përfundim se çështja penale e cila gjykohet, e sidomos nxjerrja e aktgjykimit apo aktvendimit, gjithmonë duhet të jenë në harmoni me dispozitat ligjore nga neni 384 paragrafi 2 pika 2.7 lidhur me nenin 369 të KPPK, ngase aktgjykimi i nxjerrë, duhet të jetë i kuptueshëm, i qartë dhe në harmoni me vetveten, si dhe pjesë tjera të aktgjykimit, për tu dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit.

Gjithashtu, nga shkresat e lëndës, kolegji gjykues ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk është bërë rekonstruimi i vendit të ngjarjes, për të vërtetuar se cilat kanë qenë veprimet e ndërmarra nga ana e të akuzuarit për të kryer veprën penale, që është obligim që të vërtetohen të gjitha pjesët e aktgjykimit. Pastaj propozimet e ngritura nga ana e palëve të vendoset që të janë prezent në gjykim, e po ashtu edhe të zbatohen dispozitat ligjore, duke u respektuar të drejtat e të gjitha palëve në procedurë, dhe të krijohen kushte që gjithnjë çështja e sjellë për gjykim të gjykohet tërësisht.

Ndër tjerash, kolegji gjykues ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, e që të dy këto shkelje kanë ndikuar në shkeljen e ligjit penal, sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetoj elementet e veprës penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit, për të arsyetuar ekzistimin apo mos ekzistimin e veprës penale të përshkruar sikurse në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit. Andaj ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale duhet të nxirret vendim sa më i drejtë, duke e anuluar aktgjykimin në fjalë dhe ia kthyer gjykatës së shkallës së parë të njëjtën çështje në rigjykim e vendosje.