Associated Press raport se sulmet izraelite në Gaza vranë të paktën 16 palestinezë, duke përfshirë katër gra dhe shtatë fëmijë, ndërsa katër fëmijë të tjerë mbetën jetimë, thanë të martën zyrtarët mjekësorë palestinezë, transmeton Gazeta Express.
Dhjetë persona u vranë në një sulm të hënën vonë në një shtëpi pranë qytetit jugor Khan Younis, ku Izraeli urdhëroi evakuime masive ditët e fundit, duke thënë se duhet të veprojë kundër militantëve palestinezë.
Spitali Nasser, ku u sollën trupat, tha se katër fëmijë të tjerë, përfshirë një foshnjë 5-muajshe, u plagosën. Prindërit e foshnjës dhe pesë fëmijëve të tjerë ishin në mesin e të vrarëve. Prindërit e tre fëmijëve të tjerë të plagosur u vranë gjithashtu, sipas listës së viktimave të spitalit. Një gazetar i Associated Press numëroi trupat.
Një sulm tjetër pranë Deir al-Balah në Gaza qendrore vrau një grua dhe foshnjat e saj binjake, të cilat ishin katërditëshe, si dhe gjyshen e tyre. Një tjetër sulm në qendër të Gazës vrau një burrë dhe nipin e tij.
Një reporter i Associated Press numëroi trupat në spitalin e Martirëve Al-Aksa aty pranë dhe foli me babanë e binjakëve, i cili kishte planifikuar të regjistronte lindjen e tyre të martën.
Izraeli thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe fajëson Hamasin për vdekjen e tyre, sepse luftëtarët e tij veprojnë në zona të banuara. Ushtria rrallë komenton për sulmet individuale, të cilat shpesh vrasin gra dhe fëmijë.