Finalja e Superkupës së Turqisë mes Fenerbahçes dhe Galatasarayt është anuluar për shkak të një mosmarrëveshjeje me nikoqirin, Arabinë Saudite, ku do të luhej ndeshja.
Të dyja skuadrat nuk shkuan në stadiumin “Al-Awwal Park” përpara fillimit të ndeshjes në orën 20:45, pasi klubet zhvilluan bisedime me Federatën e Futbollit të Turqisë.
Federata Turke e Futbollit lëshoi një deklaratë të përbashkët me dy klubet për të konfirmuar se ndeshja është shtyrë dhe do të zhvillohet në një datë të mëvonshme, transmeton Klankosova.tv.
Ky vendim erdhi pasi u raportua se autoritet e Arabisë Saudite, nuk lejuan dy klubet që të shfaqeshin me bluzat e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne.
Ndeshja përkoi me 100-vjetorin e themelimit të Republikës Turke.
Raportet kishin pohuar më herët se zyrtarët sauditë kishin bllokuar himnin kombëtar të Turqisë që të luhej përpara ndeshjes. Këto raporte janë mohuar nga Federata Turke e Futbollit.
Presidenti i Galatasaray, Dursun Ozbek dhe homologu i tij i Fenerbahçes, Ali Koc thuhet se mbajtën një takim tme presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi për të folur nëse ndeshja do të zhvillohet.
Galatasaray kishte njoftuar para ndeshjes se skuadra do të vishte një fanellë speciale në nder të 100-vjetorit të Turqisë.
“Ne do të shkojmë në ndeshjen e Fenerbahçes me fanellën tonë të përgatitur enkas për 100-vjetorin e Republikës sonë”, ka shkruar Galatasaray në rrjetet sociale.
Sipas mediave turke, autoritetet saudite nuk lejuan që një pankartë me deklaratën “Paqe në shtëpi, paqe në botë” dhe bluzat e Ataturkut të shfaqen përpara ndeshjes.