Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Antiqeveritar i Qeverisë Kurti” – ministrja Hajdari me akuza të rënda për kryetarin e Odës Ekonomike

“Antiqeveritar i Qeverisë Kurti” – ministrja Hajdari me akuza të rënda për kryetarin e Odës Ekonomike

I përkushtuar të luftojë Qeverinë e antiqeveritar të Qeverisë Kurti. Kështu e ka quajtur ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari drejtorin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafunën. Sipas Hajdarit, OEK-u e ka për mision ta kritikojë Qeverinë. Madje ajo ka thënë se kjo organizatë ka shumë pak anëtarësi, krahasuar me 41 mijë biznese që janë regjistruar në tri vitet e fundit. E ka akuzuar madje se as nuk ka bërë ndonjë analizë për sektorin privat.

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka folur me tone shumë armiqësore e përplot akuza për Odën Ekonomike të Kosovës dhe drejtorin e saj, Lulzim Rafuna.

Hajdari, e ftuar në emisionin Prime në RTK tha se fillimisht kur erdhi në ministri, nuk gjetën ndonjë analizë për sektorin privat, e që sipas saj duhet ta bënte Oda Ekonomike.

“Ne përveç hartimit të politikës industriale, turizmit e të tjera, morëm një analizë të thellë të cilin është pritur ta bëjë Oda Ekonomike e Kosovës, por unë kur fillova në këtë mandat, nuk gjeta asnjë analizë për sektorin privat që ishte si një punë, analizë për t’iu ofruar shtetit nga vet shoqatat industriale apo Oda Ekonomike”, tha Hajdari.

Hajdari shkoi edhe më tej duke thënë se OEK-u e ka për mision ta kritikojë Qeverinë

“Unë i falënderoj të gjitha akterët e sektorit privat që kanë qenë bashkëpunëtorë, janë ofruar sidomos shoqatat sektoriale që kanë qenë për industrinë e drurit, plastikës, tekstilin, përpunimin e ushqimit, edhe pse Oda Ekonomike ka qenë e para gjithmonë e ftuar në këto grupe punuese. Por Oda Ekonomike e ka për mision ta kritikojë këtë Qeveri”, shtoi ajo.

Hajdari u pyet nga gazetari Bashkim Vishaj për ankesat e drejtorit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna se s’ka lehtësira për bizneset, as lirim nga tatimi e ndryshim të politikave fiskale

Ajo u përgjigj se përkundrazi Kosova llogaritet si vend i sigurtë për të investuar.

“Unë nuk befasohem nga këto deklarata të tij, sepse në kohën kur Kosova renditet nga shumë raporte botërore si vendi më i sigurtë për t’u investuar, ai del me deklaratë se nuk ka siguri për të investuar në Kosovë. Kur Kosova del me një konkludim shumë pozitiv për vendin tonë që është në stabilitet, sidomos në politikat fiskale, uljen e inflacionit e borxhit publik që është siguri për invesime në vendin tonë, ai ka shprehi të kritikojë por nuk kisha elaboruar tutje në deklaratat e tilla që nuk kontribuojnë”.

Madje Hajdari përmendi edhe anëtarësinë e Odës Ekonomike. Ajo deklaroi se nuk ka shifra, porse kjo anëtarësi është shumë e vogël, në krahasim me siç u shpreh, 41 mijë biznese të regjistruara në tri vitet e fundit.

“Sa anëtarësi ka Oda Ekonomike e Kosovës, krahasuar me 41 mijë biznese të regjistruara për tri vitet e fundit. A mund të pyesni sa ka anëtarësi? Unë nuk e di por ka shumë pak. E di më mirë ai”.

Në fund, Hajdari deklaroi se Lulzim Rafuna, drejtor i OEK është antiqeveritar i Qeverisë Kurti dhe i përkushtuar ta luftojë këtë Qeveri.

“Nuk kam asgjë personale, vetëm jobashkëpunim. Është shumë i përkushtuar të luftojë Qeverinë tonë, me kritika. Është antiqeveritar i Qeverisë sonë. Të lutem vazhdojmë me tema shumë të rëndësishme. Është befasi për mua si ministre, kur marr lëvdata nga Komisioni Evropian, nga Raporti i Progresit dhe kur e sheh një deklaratë të kundërt duke folur për të kundërtën. Unë nuk kam dëshirë të elaboroj këtë deklaratë”, shtoi ajo.