Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Anketa: Amerikanët e shohin si negativ ndikimin ekonomik të Kinës

Anketa: Amerikanët e shohin si negativ ndikimin ekonomik të Kinës

Një sondazh nga Qendra Kërkimore Pew tregon se shumica e njerëzve në botë e kuptojnë ndikimin ekonomik të Kinës në vendet e tyre, por ata janë të ndarë nëse ky ndikim është i mirë apo i keq. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Baturin, sondazhi zbulon gjithashtu se më shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara e shohin ndikimin ekonomik të Kinës negativisht në krahasim me njerëzit e vendeve të tjera që ishin të përfshirë në anketim.

Nga San Francisko deri në Nju Jork dhe në Uashington, ndikimi i lagjeve dhe kulturës kineze mund të vërehet në shumë qytete amerikane.

“Mendoj se ka shumë ndikim. Shikoni perreth ne ndodhemi në lagjen qyteti i Kinës”, thotë amerikanja Rain Brody.

“Mendoj se të gjithëve u pëlqen ushqimi kinez, ashtu si festivali hënor, Viti i Ri Kinez. Kështu që nga pikëpamja kulturore mendoj se është një ndikim shumë i mirë”, thotë Eugene Mosac, një vizitor në Uashington.

Ndonëse shumë amerikanë mendojnë se kultura kineze është një gjë pozitive, kur bëhet fjalë për ndikimin e Kinës në ekonominë e Shteteve të Bashkuara, sonadazhi i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se gati tre të katërtat e amerikanëve kanë një perceptim negativ.

Sondazhi kishte një numër pyetjesh mbi Kinën për njerëzit në 35 vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, thotë Laura Silver nga Qendra Kërkimore Pew.

“Aty ku me të vërtetë dallohen amerikanët është se ata e shohin shumicën e ndikimit të Kinës si negativ. Në fakt, më shumë amerikanë thonë se ndikimi ekonomik i Kinës është negativ se njerëzit në çdo vend tjetër që ne anketuam”, thotë ajo.

Kina është një nga importuesit kryesorë të produkteve në Shtetet e Bashkuar dhe disa kompani të shitjeve dixhitale të lidhura me Kinën, si Shein dhe Temu, kanë shtrirë aktivitetin e tyre këtu në Shtetet e Bashkuara. Rain Brodie blenë produkte nga kompania Temu.

“Mendoj se ato ofrojnë produkte me çmime vërtetë të përballueshme”, thotë ajo.

Ndonëse është tunduar nga çmimet e ulëta, Kendall Funasaki nuk ka blerë produkte nga këto faqe interneti.

“Faqet kineze si Temu kanë efekt negativ tek konsumatori sepse i nxisin njerëzit të blejnë shumë më tepër artikuj të cilësisë së dobët, të cilat më pas konsumatorët i hedhin. Pra, mendoj se këto kompani nxisin shpenzime të panevojshme për konsumatorët”, thotë ajo.

Përveç disa perceptimeve negative të kompanive të lidhura me tregtinë elektronike kineze, qeveria amerikane gjithashtu ka paralajmëruar që të mos përdoret aplikacioni TikTok, që kontrollohet nga kompania ByteDance me seli në Pekin, thotë Christopher Tang, një profesor biznesi në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.

“Qeveria amerikane është e shqetësuar se TikTok mund të përdoret si një mjet për të përhapur lajme të rreme dhe pikëpamje të njëanshme për kandidatët gjatë viteve të zgjedhjeve”, thotë ai.

“Mendoj se Tiktok mund të përdoret si një mënyrë e shprehjes dhe paraqitjes personale. Secili person ka mendimet e veta. Mendoj se mund të funksionojë në çdo mënyrë”, thotë Rain Brodie.

Qendra Kërkimore Pew zbuloi gjithashtu se ka dallime të pikëpamjeve të njerëzve mbi ndikimin e Kinës bazuar në moshën e të anketauarve.

“Njerëzit e moshës madhore kanë pak më shumë gjasa të thonë se Kina ka një ndikim të madh dhe se ky ndikim është negativ. Kjo është e vërtetë për shembull në Shtetet e Bashkuara”, thotë Laura Silver nga Qendra Kërkimore Pew.

“Brezit të ri u pëlqen Tiktoku, produktet kineze dhe kompania Shein. Ata janë më pak të shqetësuar për situatën me Kinën, kështu që ata e shohin Kinën nga një këndvështrim relativisht më pozitiv. Por brezat e vjetër ende mendojnë për luftën. Ata mendojnë për çështjet e sigurisë globale. Ata janë më të shqetësuar për ndikimin e Kinës. Pra, mendoj se rezultatet e sondazhit nuk ishin befasuese”, thotë Christopher Tang nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos.

Gjetjet e sondazhit të Qendrës Kërkimore Pew bazohen në perceptimin publik dhe nuk janë tregues real i ndikimit që ka Kina mbi ekonomitë e brendshme të vendeve të tjera. Por ai mund të jetë një mjet i dobishëm, thotë zonja Silver.

“Perceptimet publike ka të ngjarë të luajnë një rol në mënyrën se si politikanët i analizojnë gjërat. Kështu, që ne mendojmë se ofrimi i një zëri për publikun është një shërbim i rëndësishëm”, thotë ajo.

Një shërbim që kandidatët presidencialë mund ta përdorin për të tërhequr më shumë votues. /VOA

Powered by WordPress