Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka njoftuar të premten e 1 nëntorit se anija Moliva me 2 mijë e 100 tonë mbetje do të vijojë të qëndrojë “në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit”.
Ky vendim do të qëndrojë në fuqi deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros.
Ndër të tjera, Prokuroria bëri me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij.
“Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre”, sqaron institucioni i drejtësisë.
Një ditë më parë, Autoriteti Portual në një përgjigje ndaj Prokurorisë sqaroi se anija Moliva – e kthyer mbrapsht pas tre muajsh që u nis nga Shqipëria – nuk mund të ankorohet në Port.
Autoriteti Portual ka kthyer përgjigje duke theksuar se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie.
Prokuroria e Durrësit me një vendim që mban datën 27 tetor, kërkon “të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë”.
“Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre. Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.
Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria.
Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë.
Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.
Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri.
Në atë kohë, në muajin gusht, Ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.