Greqia do të abstenojë në momentin që do të hidhet në votim kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, i cili ka arsyetuar edhe vendimin e vendit të tij.
Ai shtoi se “disa nga çështjet thelbësore ende nuk janë zgjidhur, mbi të gjitha themelimi i Asociacionit”.
“Prandaj, politika jonë bazë nuk ka ndryshuar. Greqia i përmbahet një politike të jashtme parimore. Ne nuk e ndryshojmë mendimin tonë derisa të ndryshojnë faktet mbi të cilat merren vendimet. Ne inkurajojmë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duam zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve”, ka pohuar kryediplomati grek.
Kujtojmë se ditë më parë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka rekomanduar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ndryshe, Kosova mori mbështetje të fuqishme në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, ku pro saj votuan 131 deputetë, kundër ishin 29 gjersa abstenuan 11. Katër nga pesë deputetët grekë gjithashtu votuan për rekomandimin e Dora Bakoyannisit, raportueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. /Telegrafi/