Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Anëtarësimi i Kosovës në BE, peng i dialogut me Serbinë

Anëtarësimi i Kosovës në BE, peng i dialogut me Serbinë

Dialogu me produktet e tij dhe rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, në vazhdimësi kanë qenë të lidhura.

Marrëveshja e Ohrit, saktësisht pika tre e aneksit këtë lidhje e qon në nivel tjetër, duke e qartësuar se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi Implementues do të bëhen pjesë integrale e proceseve respektive të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe Serbinë

Pavarësisht kësaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që këto dy procese të mos lidhen, duke arsyetuar se Kosova ka përball një shtet që nuk është i interesuar për integrim.

Kosovës i duhen së paku dy vjet për anëtarësim në KiE

Por, gjasat që një kërkesë e tillë të marrë mbështetje nga liderët e BE-së, ka pak të ngjarë.

“Konsideroj që kërkesa ka qenë diçka legjitime nga ana e Kryeministrit, por që teknikisht nuk konsideroj që është shumë e bëshme. Ta shohim ndoshta befasohemi”, thotë Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Loxha që udhëheq me GLPS-në thotë se gjithçka mbetet e ndërlidhur me procesin e dialogut.

“Edhe Kosova edhe Serbia e kanë të ndërlidhur përparimin në rrugën e anëtarësimin në Bashkimin Evropian me normalizimin e marrëdhënieve, konkretisht me dialogun. Kosova fatkeqësisht është peng i palës Serbe, pasi që çdo herë kur një pikë nuk i ka konvenuar palës Serbe, atëherë dialogu është pezulluar”, shton ajo.

Për qasje jokorrekte të BE-së në raport me Kosovën, flet edhe opinionistja Besa Luzha, teksa përmend edhe mos-liberalizimin e vizave për kosovarët si shembull.

“ Ne nuk mundemi me ndiku se në çfarë mënyrë me ndëshku Serbinë, por është normale me thënë që neve mos na penalizoni. Shembull është se qytetarët tanë janë përdorur nga BE-ja për ta penalizu Kosovën shkaku i politikave. Mbi 10 vjet nuk na është leju me lëvizë pa viza në shtetet e BE-së”, shprehet Luzha.

Për deklaratat e Kurtit por edhe lidhjen e dialogut me anëtarësimin në BE, televizioni ka dërguar një sërë pyetjesh edhe në drejtim të zyrës për media të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Themes by WordPress