Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Anëtar të kabinetit të Kurtit e konsiderojnë Bordin e Paqes të Presidentit Trump, si në një klub privat

Anëtar të kabinetit të Kurtit e konsiderojnë Bordin e Paqes të Presidentit Trump, si në një klub privat

Përgatiti: Afrim Kasolli

Ftesa fillimisht drejtuar presidentes Vjosa Osmani nga Donald Trump, që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes, dhe më pastaj nënshkrimi i këtij akti themeltar nga e para e shtetit në Davos të Zvicrës, në prezencë të Presidentit amerikan si dhe liderëve tjerë, ka ngjalluar reagime nga më të ndryshmet në Kosovë. Duke marrë parasysh raportet specifike të vendit më SHBA-në, pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë diplomatike në masë të madhe është vlerësuar pozitivisht dhe profitabile për shtetin, sepse në fund të fundit dëshmohet, se vazhdojmë të trajtohemi si partner gjeopolitik nga ana e Uashingtonit.

Me këtë rast, pas nënshkrimit të këtij dokumenti, presidentja Osmani, ka deklaruar se “Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”. Po ashtu, e njëjta është zotuar “kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”.

Me tonë pozitive për këtë akt është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i saj Lumir Abdixhiku, ka shkruar në rrjetin e tij e social, kjo parti “e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”.

Këtë linjë e ka mbrojtur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj e ka cilësuar këtë akt “si përforcim i rolit të Kosovës që shndërron Kosovë “si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës”.

Megjithatë, deri me tani asnjë fjalë s’i ka shpëtuar prej goje kryeministrit në detyrë Albin Kurti. I njëjti ka qenë shpërfillës dhe indiferent ndaj kësaj nisme si dhe pjesëmarrjes së Kosovës në kuadër të saj. Thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Apo sikur Presidentja Osmani të kishte nënshkruar këtë akt të bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Kukësit, e jo me presidentin e SHBA-ve.

Kjo heshtje ka nxitu shumë dyshime se a është e motivuar nga arsyeje ideologjike, apo thjesht personale, pse i njëjti nuk ishte në vend të Vjosa Osmanit.

Megjithatë, nuk mund të përjashtohet as pandehema e parë. Këtu duhet pasur parasysh faktin se “mikja e tij ideologjike” Lea Ypi, para pak dite ka shkruar në rrjetin e tij social, se edhe nëse liderët e vendeve të vogla kanë pranuar të jenë pjesë e këtij entiteti jo formal, atëherë është detyrë e këtyre popujve që në kundërshtim me servilitetin e drejtueseve të tyre, të revoltohen ndaj kësaj “nisme imperialiste”

Kurse këshilltari i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Besnik Pula në një intervistë për KTV e ka quajtur Bordin e Paqes si një nismë që i ngjan “kubi privat të krijuar nga Presidenti Trump”. Mbetet të shihet se këto deklarime të zotit Pula a janë qëndrime të tij private, apo edhe reflektim i disponimit të kabinetit qeveritar në tërësi. Ndonëse për aq kohë sa dikush mban pozita shtetërore nuk mund të zhvishet nga kjo përgjegjësi. Madje një standard të tillë e kishte promovuar vetë Albin Kurti më shkarkimin e ish-këshilltarit të tij Shkelzen Gashi, për shkak të deklarimeve të tij “private” prej pozicionit të këshilltarit politik qeveritar ndaj përfaqësueseve të UCK-së.

Me këtë rast nëse kryeministri Albin Kurti nuk distancohet nga këto qëndrime të Besnik Pulës, atëherë ato mund të cilësohen si qëndrim i Qeverisë në detyrë për Bordin e Paqes.