Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Andrew Gnyot: Nëse më ekstradojnë, më presin torturat në Bjellorusi

Andrew Gnyot: Nëse më ekstradojnë, më presin torturat në Bjellorusi

Gazetari dhe aktivisti bjellorus Andrei Gnyot, i cili lufton kundër regjimit autoritar të presidentit Aleksandër Llukashenko, është në arrest shtëpiak në Beograd. Ai jeton në frikë dhe pasiguri, ndërsa përpiqet të vërë në dukje padrejtësinë, pasi Gjykata e Lartë në Beograd vendosi ta ekstradonte në Bjellorusi. Gjithsesi nuk ka përfunduar gjithçka, sepse pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit.

Që nga momenti kur u largua nga vendi duke ikur nga diktatura, gazetari dhe aktivisti bjellorus ka luftuar për t’u bërë njeri i lirë. Andrew Gnyot ndodhet në arrest shtëpiak në Beograd në pritje të vendimit të autoriteteve më të larta gjyqësore të Serbisë për fatin e tij.

A do të deportohet në Bjellorusi?

“Jam në arrest shtëpiak, i burgosur, por jo në burg por në banesë. Është më e lehtë, por ende nuk jam i lirë dhe ka ende rrezik ekstradimi. Gjykata e Lartë ka marrë një vendim dhe tani kam vetëm një shans dhe ai është Gjykata e Apelit. Pres thirrjen nga kjo gjykatë se kur do të caktojnë gjykimin”, thotë Gnyot.

Ai erdhi në Serbi nga Tajlanda, ku ishte në egzil. Ai u arrestua në aeroportin e Beogradit më 30 tetor 2023 në bazë të një urdhër-arresti të Interpolit të lëshuar nga Minsk. Ai akuzohet për keqpërdorim fiskal, të cilin ai e mohon, duke theksuar se është në kërkim për veprimtari kundër regjimit.

Pas shtatë muajsh qëndrimi në Burgun Qendror të Beogradit, më 5 qershor 2024, ai u dënua me arrest shtëpiak. Më pas ka ardhur vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd për ekstradimin e tij në Bjellorusi. Gnyot dhe avokatët e tij janë ankuar.

Ai po përpiqet të organizojë jetën e tij në arrest shtëpiak. Ai mund të punojë, të komunikojë dhe të luftojë për drejtësi nga banesa e tij. E drejta për të dalë vetëm një herë në ditë për një orë përdoret për të marrë frymë lirshëm. Tani çdo ditë është një pasiguri e re.

“Nuk shpresoj për asgjë, ka pasur shumë gabime në lidhje me mua, askush nuk donte të më dëgjonte për të kuptuar situatën në Bjellorusi. Tani po luftoj dhe po bëj atë që është e mundur pa asnjë pritshmëri dhe shpresë, por shpresoj që ata të dëgjojnë ende të vërtetën”, thotë Gnyot.

Avokatët e tij tregojnë se autoritetet gjyqësore të Serbisë duhet të marrin parasysh sfondin politik të rastit. Veprimi politik shqetëson diktatorët si Aleksander Lukashenko. Si aktivist, Andrew Gnyot themeloi organizatën Shoqata e Lirë e Sportisteve të Bjellorusisë (SOS BY), e cila luftoi për të drejtat e sportistëve, kundër diktaturës dhe organizoi protesta.

Siç shpjegoi ai, me veprimet e kësaj shoqate, ata arritën që kampionatin ndërkombëtar të hokejit ta transferonin nga Minsku në Riga të Letonisë, sepse Lukashenko do ta përdorte atë garë për propagandë dhe para të mëdha. Zemërimi i Lukashenkos pasoi dhe ai i etiketoi ata si një “formacion ekstremist” për shkak të aktivitetit të tyre politik. Prandaj Gnyot ka frikë se në rast ekstradimi në Bjellorusi e presin represioni dhe torturat.

“Rasti im është 100% politik dhe siç e dini tani jam zyrtarisht i burgosur politik, sepse jam aktivist politik. Kam punuar si gazetar në media të pavarura dhe të gjitha mediat dhe organizata jonë sportive janë në listën e ekstremistëve të KGB-së së Bjellorusisë. Unë jam ekstremist për diktatorët, duan të më arrestojnë, të më torturojnë, nëse shkel atje do të arrestohesha dhe do të më burgosnin të paktën 20 vjet me tortura dhe madje edhe dënim me vdekje, sepse Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që ka dënim me vdekje”, thekson ai.

Prindërit e Andrew Gnyot jetojnë ende në Bjellorusi. Populli, siç thotë ai, jeton nën presion, represion dhe frikë të madhe. Ai ëndërron për një Bjellorusi të lirë. Por një e ardhme e tillë duket shumë e largët.

“Do të doja të jetoja në Bjellorusi, e dua vendin tim, kulturën. Nuk kemi media të pavarura, organizata të shoqërisë civile. Bjellorusia është si një burg i madh. Rreth 10% e popullsisë u largua nga Bjellorusia, dhe këta janë njerëzit më të mirë, të rinj, me arsim të lartë, familje të reja me fëmijë. Ata duhej të largoheshin nga vendi sepse donin të kishin një të ardhme dhe kjo është e pamundur në Bjellorusi si kjo. Situata është e ngjashme me atë në Korenë e Veriut”, thotë ky gazetar bjellorus.

Asociacione të shumta të gazetareve vendase dhe ndërkombëtare, shoqata nga fusha të ndryshme të kulturës, si dhe BE-ja, u bëjnë thirrje autoriteteve serbe që të lirojnë Gnyotin, duke i kujtuar se në Bjellorusi kërcënohen të drejtat e njeriut, ku përfshihen tortura dhe gjykime të padrejta.

A do t’ia heqë gjurmuesit elektronik që i mban në këmbë në arrest shtëpiak gazetarit bjellorus Andrej Gnjot, Serbia, e cila aspiron të anëtarësohet në BE? Të hapet rruga e tij drejt lirisë ose të kthehet në mëshirën e Lukashenkos.

Powered by WordPress