Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Anashkalimi i Marrëveshjes së Uashingtonit për hir të asaj të Brukselit nga administrata Trump

Anashkalimi i Marrëveshjes së Uashingtonit për hir të asaj të Brukselit nga administrata Trump

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga publikimi i strategjisë së sigurisë nacionale nga Shtëpia e Bardhë, analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se ky dokument më shumë se asgjë tjetër e pasqyron gjithnjë e më tepër hendekun ndërmjet dy brigjeve të Atlantikut. Dhe si i tillë ai shënon një kthesë tektonike gjeopolitike sa i përket angazhimit gjeopolitik amerikan. Për më shumë ai është i shkruar me një gjuhë përçmuese për BE-ne. Kjo e fundit definohet si një civilizim në zhdukje e sipër për shkak të migracionit. Madje shumë shtete të këtij entiteti vlerësohet se as nuk do të jenë aleate të dobishme të Uashingtonit brenda një dekade.

Duke marrë shkas nga këto tensione, drejtoresha e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Itali, Nathalie Tocci, ishte shprehur për mediumin britanik “The Guardian” se deri më tani evropianët kanë gjykuar gabimisht se presidenti Donald Trump edhe pse është i “paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm në fund ai do të jetë i menaxhueshem” Por sipas saj, që nga fillimi ka qenë e ditur se interesi i tij mbetet relaksimi i raporteve SHBA-Rusi. Në këtë drejtim nuk ka lajkë që e shpëton projektin transatlantik.

Megjithatë, përkundër këtyre diferencave të sipër cekura, nënshkrimi dje nga Presidenti Trump i ligjit të mbrojtës kombëtare të miratuar nga dy dhomat e Kongresit spikat një unitet ndërmjet SHBA-ve dhe BE-se sa i përket detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ne të pohohet pa ekuivoke se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e zbatimit në funskion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Sipas këtij ligji, ky akord “përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”. Dokumenti përpos që përjashton idenë e këmbimit të territoreve sipas linjave etnike, po ashtu e thekson “rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon”. Dhe në fund inkurajohet integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të BE-se si dhe minimi i ndikimit energjetik rus në rajon.

Sidoqoftë, ky zhvillim dëshmon një kthesë tjetër. Se kjo administratë e ka anashkaluar Marrëveshjen e Uashingtonit te suportuar nga vetë administrata Trumpi 1 për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është përcaktuar për zbatim të asaj Marrëveshjen që janë pajtuar Albinin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqi në Bruksel.

Ironia është se Qeveria Kurti 1 ishte rrëzuar nga presioni amerikan pikërisht për shkak të kundërshtimit të asaj Marrëveshjes. Ndërkohë, nuk ka lider politik në Kosovë që është kritikuar më shumë se Albin Kurti si nga administrata Biden ashtu edhe kjo Trump, se me qëndrimet e tij e ka rrezikuar partneritetin ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, edhe partitë opozitare kanë tentuar të përfitojnë elektoralisht me kartën e antiamerikanizmit të Kurtit. Mirëpo, sot befasisht atyre nuk u mbetet rrugë tjeter pos ta zbatojnë trashëgiminë diplomatike dhe shtetërore të Albin Kurtit, si e vetmja mundësi për të vepruar në koherencë edhe me interesat strategjike të Uashingtonit për Kosovën.