Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Analiza e “Octopus”: Varësia nga Rusia, si po shndërrohet Serbia në një shtet klient

Analiza e “Octopus”: Varësia nga Rusia, si po shndërrohet Serbia në një shtet klient

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka prezantuar një analizë të lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë.

Në këtë analizë thuhet se marrëdhëniet mes Beogradit e Moskës bazohen në trashëgiminë sllave, në fenë ortodokse si dhe në afërsinë kulturore në muzikë e mitologji.

Instituti gjithashtu theksoi se Serbia ka zhvilluar një varësi të madhe në energjinë ruse e në armatim, duke shtuar se Rusia i ofron Serbisë një mbështetje të fuqishme diplomatike në obstruksionet ndaj Kosovës.

Analiza e plotë:

Varësia kronike e Serbisë ndaj Federatës Ruse: Si po shndërrohet Serbia në një shtet klient dhe proxy

Varësia në kontekstin politik ndër-shtetëror përfshin një spektër të gjerë dhe shpesh të ndërthurur të faktorëve. Si koncept shumëplanësh, varësia mund të definohet në shkallën që një shtet apo entitet politik mbështetet te tjetri për përkrahje politike apo bashkëpunim diplomatik. Në ngjarjet historike në Ballkan, dhe sidomos nga 1878 e këtej marrëdheniet e veçanta mes Rusisë dhe Serbisë kanë qenë përcaktuese në fatin politik të kësaj të fundit, si dhe kanë formësuar dhe ndikuar  në mënyrë substanciale thuajse të gjitha ngjarjet kryesore politike në Serbi.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë bazohen fuqishëm në trashëgiminë sllave; rusishtja dhe serbishtja i përkasin degëve të sllavishtes lindore dhe jugore të gjuhëve indo-evropiane respektivisht. Feja ortodokse është tjetër faktor që çimenton lidhjet e thella kulturore mes dy vendeve. Peisazhin e afërsive kulturore e forcojnë ngjashmëritë në folklor, muzikë, zakone të përbashkëta e mitologji.

Në rrafshin politik Rusia ka sponzorizuar fuqishëm pavarësinë e Serbisë në Traktatin e Shën Stefanit (1878), që pasoi luftën ruso-turke. Rusia ndihmoi Serbinë edhe gjatë luftërave ballkanike, si dhe në Luftën e Parë Botërore. Në luftrat e viteve 90-ta Federata Ruse mbështeti Serbinë ndërsa kjo e fundit shkaktoi një ndër tragjeditë më të mëdha në Evropë që nga viti 1945 e këtej.

Ndryshimi rrënjësor i dinamikave gjeopolitike globale, dhe ripërcaktimi i interesave strategjike të Federatës Ruse e ka ndikuar thellë edhe natyrën e marrëdhenieve mes këtyre dy vendeve. Marrëdhëniet mes Federatës Ruse dhe Serbisë tani kanë hyrë në një fazë të re, duke u karakterizuar nga varësia kronike që Serbia ka ndaj Federatës Ruse; duke e shndërruar Serbinë në një vend pjesërisht si shtet klient e pjesërisht si proxy. Federata Ruse në anën tjetër luan rolin e shtetit patron, duke ushtruar një influencë të gjerë në jetën politike dhe shoqërore të Serbisë.

Le t’i definojmë këtu më tutje nocionet shtet klient, shtet proxy dhe shtet patron. Me shtet klient përgjithësisht kuptohet kur një vend ka varësi të theksuar politike, ushtarake (të sigurisë), dhe ekonomike ndaj një vendi tjetër, zakonisht më të fuqishëm. Kjo gjendje manifestohet me sovranitet të limituar, dhe nevojë të vazhdueshme për mbështetje ushtarake. Shtet proxy është një vend që përdoret nga të tjerët për të luftuar në mënyrë indirekte konfliktet e të tjerëve. Shembulli konkret në Ballkan është se si Serbia e Aleksandar Vuçiqit mund të hapë frontin e dytë të Rusisë në Evropë, duke shkaktuar agresione, konflikte e luftëra. Shtet patron është shteti i fuqishëm, që për interesa strategjike kontrollon shtetet kliente e proxy-t.

Serbia ka zhvilluar një varësi të madhe ndaj energjisë ruse, armatimit të sofistikuar modern, mbështetjes së vazhdueshme diplomatike dhe sigurisë. Rreth 90 % e gazit natyral në Serbi vjen prej Rusisë nga tubacioni TurkStream; kjo përkthehet në rreth 3 miliardë kubik metra sasi vjetore. 51 % e kompanisë serbe të gazit dhe naftës NIS zotërohet nga gjiganti rus Gazprom Neft, çka i jep Rusisë një kontroll substancial mbi sektorin e energjisë në Serbi. Megjithëse ka përpjekje për ta diversifikuar furnizimin, varësia nga Rusia mbetet jashtëzakonisht e madhe.

Një pjesë e madhe armatimit modern që është aktualisht në përdorim nga Forcat e Armatosura të Serbisë vjen nga Rusia. Sistemet moderne të armatimeve përfshijnë aeroplanë luftarakë Mig-29, helikopterë transportues Mi-8/17, tanke e mjete tjera të blinduara e deri te sistemet e mbrojtjes ajrore s-300 dhe Pantsir-S1. Mbështetja ushtarake vazhdon me sisteme të luftës elektronike si dhe me armatim më të lehtë.

Rusia i ofron Serbisë një mbështetje të fuqishme diplomatike në obstruksionet ndaj Kosovës. Rusia mbron interesin serb në politikën botërore, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, e ndihmon Serbinë në fushatën dhe operacionet e luftës hibride etj.

Ciklin e varësisë kronike që Serbia ka zhvilluar ndaj Rusisë e përmbyll modeli serb i autokracisë që aplikohet nga presidenti aktual Aleksandar Vuçiq. Legjitimiteti i Vuçiqit buron në masë të konsiderueshmë nga patroni i tij në Moskë, Vladimir Putin. Makinacionet zgjedhore, kontrolli i medias, akumulimi i pushtetit dhe së fundmi artikulimi publik i idesë së Botës Serbe jane kopje e strategjisë së Kremlinit për kontroll të brendshëm politik dhe dominim rajonal.

Siç e pamë Rusia ushtron një kontroll të gjerë në politikën dhe shoqërinë serbe, duke përdorur atë si shtet klient dhe proxy. Përmes këtij kontrolli Rusia ndjek objektivat e saj strategjike, mban Serbinë larg perëndimit dhe madje e përdor kundër perëndimit, ndërkohë që mbështet regjimin e Aleksandar Vuçiqit dhe sponzorizon ambiciet rajoanle të Serbisë për projektin e Botës Serbe. Si objektiv imediat strategjik, Rusia mund ta përdor Serbinë për të hapur një front të dytë në Evropë, pra duke mbështetur Serbinë në një luftë të mundshme kundër Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Rrethin vicioz të lidershipit serb, dhe varësinë kronike që Serbia aktualisht ka ndaj Rusisë perëndimi nuk mund dhe nuk duhet ta menaxhojë duke e përkrahur regjimin e Aleksandar Vuçiqit. Kjo vetëm sa e mirëmban sistemin aktual të raporteve dhe zgjat agoninë në Ballkan. Perëndimi duhet ta sponzorizojë demokratizimin e vertëtë të Serbisë, si rrugën e vetme drejt normalizimit të gjendjes në Ballkan.

/TV Arbëria

Themes by WordPress