Tashmë jemi në javën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Java e dytë e fushatës zgjedhore ka filluar, partitë politike po mbajnë takime me qytetarët duke i shpalosur programet e tyre qeverisëse për katër vitet e ardhshme.
Në një prononcim për TV Arbëria, analisti politik Arbnor Sadiku ka bërë një analizë në lidhje me fushatën që po zhvillohet.
Analisti thekson se, sipas tij, mund të ketë një rënie në përqindje Lëvizja Vetëvendosje.
“Mendoj se, në përgjithësi, deri më tani fushata ka qenë e qetë dhe ka përmbushur standardet demokratike. Sa i përket rezultatit, nga 9 shkurti deri më 28 dhjetor 2025 mund të ketë ndryshime në përqindje. LVV-ja pritet të mbetet partia e parë, por me një rënie të lehtë prej 2–3%”, ka thënë analisti.

Tutje, analisti thotë se lufta për vendin e dytë do të jetë mes PDK-së dhe LDK-së.
Gjithashtu, potencon se AAK-ja do ta kalojë pragun, ndërsa është skeptik për Nismën Socialdemokrate.
“Po ashtu, dallimi mes partisë së dytë dhe asaj të tretë pritet të jetë rreth 3–4%. Pra, ajo që është më e saktë të thuhet është se LVV-ja do të jetë partia e parë me një rënie të lehtë, ndërsa për pozitën e dytë do të luftojnë deri në fund LDK-ja dhe PDK-ja. Ndërkohë, AAK-ja pritet ta kalojë pragun zgjedhor, ndërsa Nisma besoj se do të ketë vështirësi për ta kaluar pragun, edhe pse kjo do të varet nga numri i daljes në vota”, ka thënë Sadiku për TV Arbëria.