Analisti politik Gani Qarri ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës së Eman Rrahmanit, i cili tha se pakënaqësitë me Qeverinë Kurti kanë qenë arsye kryesore për afrimin e tij me PDK-në dhe se kjo marrëveshje është ndërtuar mbi pikat e programit të tij politik.
Duke kundërshtuar këtë version, Qarri thotë se e habit fakti që, siç shprehet ai, “një grupim i papërfillshëm, pa anëtarësi, pa program, pa traditë e pa ide”, po tenton të paraqitet si faktor politik. Sipas tij, veprimet e Rrahmanit janë “tentativë për të kamufluar agjenda të huaja”, ndërsa përdorimi i konceptit “familja” në diskurs politik është “keqpërdorim emocional dhe manipulativ”.
Ai e cilëson pretendimin e Rrahmanit për marrëveshje programore me PDK-në si “utopi dhe shprehje oportuniste”, duke shtuar se në realitet Rrahmani në atë parti “është vrima e fundit e kavallit”.
Qarri thekson se PDK-ja, si parti e madhe, nuk do të rrezikonte interesat e saj për shkak të figurave që ai i quan “ardhacakë të fundit, pa peshë dhe pa mbështetje politike”. Sipas tij, “afrimi i Rrahmanit me PDK-në nuk lidhet kurrë me pakënaqësitë ndaj Qeverisë Kurti, por me dështimin e rëndë të politikave të tij arkaike dhe jashtëkohore”.
Ai shton se është e paimagjinueshme që një grup kaq i vogël të ketë forcë imponuese në një koalicion me një parti të madhe.
“Është tërësisht e pamundur që një parti në miniaturë të imponojë platformën e saj në PDK. Kjo do të ishte situatë thuajse e paprecedentë në politikën kosovare”.