Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit po afrojnë. Tashmë janë publikuar edhe listat e plota të partive politike për kandidatët për deputetë dhe kryeministër.
Këto lista, sipas analistit politik Shemsi Jashari, tregojnë strategji dhe qasje të ndryshme.
“Partitë politike kanë publikuar listat e reja zgjedhore dhe dallimet mes tyre tregojnë qartë strategji të ndryshme në qasjen ndaj garës dhe elektoratit”, ka thënë Jashari për TV Arbëria.
Analisti, në një përgjigje për TV Arbëria, thekson se lista e Partisë Demokratike të Kosovës ka sjellë më së shumti emra të rinj dhe profesionistë.
“Partia Demokratike e Kosovës është partia që ka sjellë më së shumti prurje të reja profesionale. Në listë ka emra nga fusha e ekonomisë, drejtësisë, shëndetësisë, administratës dhe sektorit privat, duke sinjalizuar një orientim drejt profesionalizimit dhe përgatitjes për qeverisje. Ky rinovim i kontrolluar i jep PDK-së profil më kredibil dhe më konkurrues në terren. Megjithatë, shihet se prapë figurat tradicionale kanë dominuar në 20-shen e parë të listës për deputet”, thotë Jashari.
Mos kandidimin e Agim Veliut për deputet nga LDK-ja, analisti e sheh si problematik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë disa aderime të reja, por me ritëm më të moderuar. Lista e saj kombinon figura tradicionale me profesionistë të rinj, duke tentuar të rindërtojë identitetin si alternativë stabile dhe e moderuar për votuesin që kërkon qetësi dhe zgjidhje teknike. Edhe në LDK, figurat tradicionale kanë dominuar në 20-shen e parë të listës për deputet. Problematike mbetet mospërfshirja e Agim Veliut në listën zgjedhore”, tha ai.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, analisti thotë se lista kryesisht është e njëjtë me atë të 9 shkurtit, por problematika sipas tij qëndron tek emrat që janë hetuar ose akuzuar për korrupsion gjatë qeverisjes Kurti.
“Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, ka kryesisht riciklim të listës paraprake. Ka pak figura të reja dhe ndryshimet janë minimale. Më shqetësuesja është fakti se në top 10–20 vendet e para të listës janë privilegjuar disa ish-ministra të hetuar apo akuzuar për korrupsion gjatë qeverisjes Kurti 2, duke krijuar perceptimin e mungesës së hapjes, stagnimit dhe mbrojtjes së interesave të brendshme në vend të reformimit të listës.”
Analisti potencon se kjo garë zgjedhore po zhvillohet mes ish-opozitës që po rindërtohet dhe partisë që e pati pushtetin e po tenton ta mbajë atë pavarësisht kritikave për keqqeverisje.
“Ky kontrast tregon se gara zgjedhore do të jetë betejë mes partive që ishin në opozitë e po rindërtohen dhe një partie që ishte në pushtet e po kërkon ta mbajë pushtetin me strukturën ekzistuese, pavarësisht kritikave dhe rasteve të kontestuara brenda saj”, ka potencuar analisti për TV Arbëria.
