Analisti politik Gani Qarri ka reaguar ashpër ndaj hapjes së konkurseve për vende pune nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës, përfshirë komunat Obiliq, Gjilan, Prizren, Fushë Kosovë dhe Zubin Potok. Në një prononcim për TV Arbëria, ai tha se ky veprim përbën shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe paraqet ndërhyrje të qëllimshme politike në proceset zgjedhore të vendit.
Qarri tha se opinioni publik është me të drejtë i habitur nga veprimet e Serbisë, duke theksuar se ato janë në kundërshtim me ligjin dhe arsyen.
“Për habi të mbarë opinionit publik, e në kundërshtim me ligjin dhe arsyen e shëndosh, Ministria e Shëndetësisë së Serbisë hegjemoniste, vijon serish provokimet ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, dhe pas paralajmërimit të kriminelit Vuçiq me 5 tetor se do të jap një lajm të madh, me 9 tetor, u dëshmua se ishte vetëm një lajm pervers dhe kundërligjor si shpallja e konkursit për 400 vende të reja ilegale pune, në institucionet paralele gati gjithandej Kosovës”, deklaroi ai.
Ai shtoi se shpallja e konkursit në prag të zgjedhjeve komunale përbën një përpjekje të Serbisë për të ushtruar presion mbi komunitetin serb dhe për të ndikuar në proceset zgjedhore.
“Shpallja e konkursit nga Serbia, në prag të zgjedhjeve komunale dhe shtyrja e tij deri në mes të janarit… është vazhdim i presionit e kushtëzim ndaj serbëve lokal, si dhe ndërhyrje e hapur edhe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Republikën e Kosovës, gjë që nuk do duhej lejuar as nga BE dhe faktori ndërkombëtar”, theksoi Qarri.
Ai kujtoi se paralajmërimi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq erdhi pikërisht përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
“Ajo që habit edhe më tepër me këtë aventurë të re serbomadhe, është fakti se paralajmërimi nga presidenti i Serbisë, u bë pikërisht në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit… Konkursi u shpall më 9 tetor, me arsyetimin se autoritetet ligjore të Republikës së Kosovës synonin integrimin e institucioneve paralele shëndetësore”, u shpreh ai.
Sipas Qarrit, Serbia po tenton të tensionojë situatën dhe t’i shkaktojë probleme Qeverisë së Kosovës edhe para faktorit ndërkombëtar.
“Me një veprim anakronik si ky, Vuçiq… ndërmori këtë hap më të ri provokues, në mënyrë që Qeverisë së Kosovës, t’i shkaktojë fërkime me faktorin ndërkombëtar dhe Kosovës të mos i hiqen masat kufizuese të BE-së, nëse provon t’i mbyllë ato”, tha analisti.
Ai theksoi se ndryshimi i afatit të konkursit deri më 15 janar është një manovër politike e Serbisë.
“Serbia ndryshoi afatin e konkursit, duke e shtyrë atë deri me 15 janar… ndoshta me shpresën apo edhe sugjerimin e ndonjë përfaqësuesi ndërkombëtar në vendin tonë, se pas zgjedhjeve mund të ndryshojë konstelacioni aktual i udhëheqjes politike në Kosovë”, vijoi Qarri.
Në vijim, analisti tha se Serbia duhet ta kuptojë se situata në Kosovë ka ndryshuar dhe se edhe faktori ndërkombëtar po kërkon integrimin e strukturave paralele serbe në sistemin ligjor të Kosovës.
“Vuçiq dhe Serbia hegjemoniste duhet të mos jetojnë më me ëndrra… nuk është më vetëm kryeministri Albin Kurti, por edhe ndërkombëtarët janë deklaruar disa herë për planet e integrimit të sektorit të shëndetësisë ilegale serbe në sistemin legal të Kosovës”, deklaroi ai.
Qarri theksoi se çdo përpjekje e Serbisë për punësime ilegale është e destinuar të dështojë.
“Gjasat për vazhdimin e punësimeve ilegale… po ngushtohen, dhe si të papranueshme e kundërligjore, janë të dënuara paraprakisht të dështojnë, ngase përbëjnë shkelje të rëndë të rendit, ligjit dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh ai.
Në fund, analisti u kërkoi institucioneve të Kosovës të reagojnë me vendosmëri dhe të mos mjaftohen vetëm me deklarata politike.
“Qeveria e Kosovës është e obliguar të reagojë me vendosmëri, për ndalimin përfundimtar të të gjitha veprimeve kundërligjore dhe institucioneve ilegale të Serbisë brenda kufijve të Republikës së Kosovës… Kosova duhet dhe është e detyruar të ndërmarrë sa më parë hapa juridikë dhe diplomatikë, për t’i dhënë fund çmendurive hegjemoniste serbomëdha brenda territorit tonë”, përfundoi Qarri.