Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Analisti politik: “Dështimi i Kurtit ishte i pritshëm, epoka e ndikimit të tij po bie”

Analisti politik: “Dështimi i Kurtit ishte i pritshëm, epoka e ndikimit të tij po bie”

Analisti politik Blerim Burjani ka komentuar dështimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të formuar Qeverinë “Kurti 3”, duke theksuar se ky rezultat ishte i pritshëm.

“Kurti po humb gradualisht ndikimin në shtet dhe do të humbasë edhe influencën në politikën kombëtare. Besimi ndaj tij po bie. Kurti nuk u reformua, bëri politikë kryesisht për interesa të tij personale dhe u soll si një politikan ‘i vetëm’. Ai as nuk duket i interesuar për qeverisje me kabinetin dhe këshilltarët e tij. Suksesi nuk vjen vetëm nga një person, por nga një grup njerëzish që mbajnë pozita kyçe, si dhe nga aktorë të ndryshëm politikë vendorë dhe ndërkombëtarë. Politika funksionon si një simfoni me një dirigjent të zot, por jo me instrumente të çakorduara”, tha Burjani.

Ai vlerësoi se epoka e ndikimit të Kurtit pritet të bie shumë shpejt: “Fitoret prej 42% në zgjedhjet e ardhshme mund të bien nën 40%. Sipas gjasave reale, VV mund të fitojë vetëm rreth 38%. Ai e ka humbur pushtetin lokal dhe asnjëherë nuk e ka pasur plotësisht”.

Burjani shtoi se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe bisedimet duhet të fillojnë sa më shpejt: “Më mirë është që bisedimet të fillojnë sa më shpejt, brenda 10-ditëshit të dytë, midis presidentes dhe partive, për të vendosur që zgjedhjet të mbahen më së voni në janar të vitit 2026. Nuk ka kohe për të humbur”.

Analisti komentoi gjithashtu situatën e partive politike: “LDK serish mendon se një qeverisje e përkohshme të vendoset, por të tjerët as VV e as PDK e as AAK nuk pranojnë të ndajnë përgjegjësitë e qeverisjes me Kurtin. Kurti është me dyer të mbyllura me të gjithë partitë, intelektualët, akademikët: një njeri kundër të gjithëve. Pra figura apo profili politik është inekzistent, VV është parti aksidentale, ka ardhur në pushtet në mënyrë të tillë dhe shkon po sikur ka ardhur”.