Ambasadorja e Kosovës në Oslo është parë duke marrë pjesë në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje, një veprim që ka ngritur debate të forta publike dhe politike mbi etikën dhe neutralitetin e diplomacisë së jashtme. Pjesëmarrja e saj në një aktivitet partiak ka nxitur reagime të menjëhershme, përfshirë edhe komentin e analistit politik, Blerim Burjani, i cili në një prononcim për TV Arberia e ka cilësuar këtë si shkelje të rëndë të parimeve shtetërore.
Duke u pyetur nëse është e pranueshme që një ambasadore të angazhohet në aktivitete politike të partive, Burjani u shpreh prerazi:
“Kjo është shkelje e misionit të ambasadorit. Ai atje kryen punë për të gjithë bashkatdhetarët, dhe janë shërbyes të qytetarëve tanë që jetojnë në mërgim.”
Ai theksoi se roli i ambasadorëve është mbi politikën partiake dhe i orientuar vetëm drejt interesit të shtetit dhe qytetarëve.
“Detyra e tyre është uniteti i diasporës, përkushtimi për ndihmë, dhe zhvillim kulturor e ekonomik me shtetin ku janë. Pra, angazhimet e tyre duhet të jenë të qarta dhe profitabile për shtetin e Kosovës.”
Burjani shtoi se veprimet e tilla cenojnë misionin e shërbimit të jashtëm dhe krijojnë precedent të rrezikshëm për politizimin e institucioneve diplomatike.
“Ata duhet të shkarkohen nga ky post menjëherë dhe pa humbur kohë, sepse kanë rënë ndesh parimeve të misionit shtetëror që është shërbim, përkrahje, ndihmë dhe zhvillim”. /TVArbëria