Kuvendi i Kosovës sot ka shënuar dështimin e rradhës, duke mos arritur të zgjidhet kryeparlamentari.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese, pas emrit të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës për kryeparlamentare, ka propozuar Hekuran Muratin, ku as ky emër nuk ka marrë pëlqimin e subjekteve PDK, LDK dhe AAK për kryeparlamentar.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk votojnë asnjë emër nga Vetëvendosja, që ka qenë në qeverinë Kurti ministër për katër vite. Ndërsa partitë e tjera kërkojnë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Pra, edhe pas aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ku për herë të dytë iu vendos afat deputetëve të Kuvendit të konstituimi të kryhet brenda 30 ditësh, prapë po vazhdon bllokada dhe “cirku politik” brenda Parlamentit të Kosovës.
Partia fituese po thotë se “ne e kemi të drejtën të propozojmë këdo që duam ne”, ndërsa partitë tjera duan marrëveshje politike dhe nuk po i votojnë ministrat e qeverisë Kurti.
Si rezultat, bllokada institucionale dhe shteti i Kosovës po humb më së shumti.
Në lidhje me këtë, për TV Arbëria analisti Blerim Burjani ka thënë se po bëhet një lojë në dëm të shtetit të Kosovës.
Sipas analistit, është e domosdoshme që klasa intelektuale dhe ajo e biznesit të formojnë një subjekt të ri politik, në mënyrë që të shpëtohet nga protestat që pritet të ndodhin, pasi sipas tij me këtë skenë politike nuk ka rrugëzgjidhje për vendin.
“Loja në dëm të shtetit, por se kanë dert se dështojnë, kanë kohë një muaj për lojëra të kësaj natyre të pakuptim, absurdi politik, demokratik dhe veprim jo në dobi institucionale, është prezent në politikën aktuale, Kosova duhet të mendojë për një alternativë të re politike, kjo klasë politike u tregua që 25 vjet çfarë është, me interesa personale dhe korrupsion. Unë mendoj që klasa intelektuale dhe ajo e biznesit të bëhen bashkë dhe të nxjerrin një subjekt të ri politik, për të i shpëtuar protestave që mund të ndodhin në Kosovë. Këtu vetëm paknaqësia protestuese mund të ndryshojë këtë gjendje dhe më i detyrojë ose me vepruar në pajtim me interesat e shtetit ose me gjet alternativë e re politike, me kështu nuk shkon,” thotë Burjani për TV Arbëria.
Analisti tutje thekson se partitë politike PDK, LDK, VV, AAK dhe Nisma duhet të dalin në debat publik që të japin llogari se përse po ndodh bllokada.
“Këtu me për këtë temë as nuk duhet të ketë asnjë debat, sepse nuk ndihmon gjë debatit për çdo natë ku reprizohen fjalë, partitë politike PDK, LDK, VV, AAK, NISMA duhet të ftohen në debate e jo njerëz që nuk i pyet askush për kurrgjë. Këto subjekte duhet të futen në debat publik dhe me treguar arsye e bllokadës të vazhdueshme.
Duhet me dhanë përgjegjësi se kanë marrë votat e qytetarëve.
Këta janë përgjegjësit e jo do njerëz që dalin nëpër debate koti, fol e “rruaj voe”.
Adresa e përgjegjësisë dihet, janë partitë parlamentare që kanë fituar vota,” thotë tutje analisti. /TV Arbëria