Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Analistët: Si duhet Kosova ta shfrytëzojë situatën e krijuar pas 24 shtatorit?

Analistët: Si duhet Kosova ta shfrytëzojë situatën e krijuar pas 24 shtatorit?

Me 24 shtator një grup i armatosur prej 30 personash i prirë nga Milan Radojiçiq, i kërkuar nga drejtësia kosovare dhe i gjendur në listën e zezë të SHBA-ve, e sulmuan Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në përgjithësi shtetet perëndimore e kanë dënuar sulmin. Madje, edhe disa eurodeputetë kërkuan sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE).

Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë paraqitur prova të mjaftueshme se si ky grup ishte trajnuar dhe përgatitur në baza të veçanta ushtarake në territorin e Serbisë, çfarë dëshmon se prapa tij qëndronin strukturat shtetërore të sigurisë së shtetit serb.

Kurse, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, “ka deklaruar se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish – nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiciq, se ai e ka organizuar sulmin”.

Siç dihet, ky atak ka ndodhur në një kohë kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe përkundër pajtimit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për marrëveshjen bazë të normalizimit ndërmjet dy vendeve në Bruksel, si dhe atë zbatimit në Ohër, kishte hyrë në krizë.

Në këtë kontekst, Arbëria TV u ka parashtruar pyetje analistëve politikë Artan Muhaxhiri dhe Arben Fetoshi, për të marrë opinionet e tyre se si duhet të sillet Qeveria e Kosovës në rrethanat e reja të krijuara pas këtij sulmi.

Për opinionisitin Artan Muhaxhiri, “ngjarjet tragjike të 24 shtatorit i kanë ndryshuar fundamentalisht premisat e dialogut.

Ky proces nuk mund të vazhdojë me inercinë e deritashme pa u sqaruar motivet, pjesëmarrësit dhe rrethanat e sulmit serb ndaj sovranitetit të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare është duke e vendosur nën presion të hatashëm dhe meritor Serbinë, prandaj nuk mund të pritet rifillimi i tij pa përfunduar e gjithë kjo etapë komplekse”.

Edhe për Arben Fetoshin “sulmi i armatosur me 24 shtator ishte akt agresioni që u përballua me sukses nga policia e Kosovës.

Serbia tani po tenton të shfajësohet duke improvizuar rast penal ndaj Radojçiqit dhe grupit terrorist, por situata ka ndryshuar radikalisht pas sulmit, prandaj vazhdimi i dialogut kërkon rindërtim të skenës.

Kjo do të thotë se Bashkimi Europian dhe SHBA-të duhet të dërgojnë mesazh të fortë përmes ndëshkimit të Serbisë, në mënyrë që Kosova t’i kthehet dialogut.

Se çfarë do të jetë ndëshkimi s’mendoj që ka shumë rëndësi për shkak të kontekstit gjeopolitik, por e kundërta do të ishte mesazh i gabuar që do t’i trimëronte “heronjtë” e veriut”.

Prandaj, është shumë me rëndësi që Qeveria e Kosovës ta kuptojë si duhet situatën e re të krijuar dhe të di si të sillet konform saj në aspektin politik dhe diplomatik.

Sepse, çdo veprim i pamatur mund t’i kthehet në bumerang shtetit, edhe përkundur rezultatit të arritur në terren në përballimin e sulmit terrorist nga Policia e Kosovës.

Sipas A. Muhxhirit “për herë të parë prej shpalljes së Pavarësisë bota demokratike është unanimisht në favor të Kosovës dhe kundër Serbisë”.

Kështu, “ky momentum duhet të shfrytëzohet për avancime shumëdimensionale, sepse vështirë se do të rikthehet edhe për një kohë të konsiderueshme.

Natyrisht, secili hap i rëndësishëm i qeverisë sonë gjithsesi është mirë të harmonizohet me aleatët kryesorë, kryesisht me SHBA-të dhe Gjermaninë, pasi kjo është qasja e vetme që garanton përshpejtim të suksesshëm të ecurisë së procesit dhe pozicionim pozitiv të Kosovës në mozaikun e përgjithshëm dialogues.

Kokëfortësitë naive dhe eksperimentimet e pafrytshme vetëm sa do të na kthehen bumerang – me vonesa”.

Kurse, për A.Fetoshin “Kosova as nuk duhet të ngutet as ta presë, por të jetë pragmatike duke lëvizur në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara.

Suksesi i policisë më 24 shtator na ka dhënë pozicion më të favorshëm, por nëse nuk e shfrytëzojmë si duhet do të rrezikojmë të na imponohen zgjidhje që cenojnë rendin kushtetues”. 

/TV Arbëria