Përgatiti Afrim Kasolli
Disa nga shtet arabe në Lindje të Mesme janë duke ushtruar presion mbi Uashingtonin për të ndaluar Izraelin nga sulmi ndaj rafinerive të naftës në Iran, pasi që janë të shqetësuar se edhe uzinat e tyre të naftës mund të vihen në shënjestër nga përfaqësuesit e Teheranit, nëse konflikti përshkallëzohet, kanë i thanë tre burime diplomatike Agjencisë së lajmeve Reuters.
Si pjesë e përpjekjeve për të shmangur përfshirjen në luftë, disa nga shtetet e Gjirit Persik, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, po refuzojnë gjithashtu t’i lejojnë Izraelit të fluturojë mbi hapësirën e tyre ajrore për ndonjë sulm ndaj Iranit dhe ia kanë bërë të ditur këtë Uashingtonit.
Izraeli ka premtuar se Irani do të paguajë për sulmin me raketat e javës së kaluar, ndërsa Teherani ka thënë se çdo hakmarrje do të ketë pasoja me një shkatërrim të madh, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në rajon që mund të përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara.
Veprimet e shteteve të Gjirit vijnë pas një përpjekjeje diplomatike nga Irani, që është një shtet shiit jo-arab, për të bindur fqinjët e tij sunito-arabë të përdorin influencën e tyre në Uashington, në mes të shqetësimeve në rritje se Izraeli mund të synojë rafineritë e prodhimit të naftës në Iran.
Gjatë takimeve të kësaj jave, Irani e paralajmëroi Arabinë Saudite se nuk mund të garantonte sigurinë rafinerive të naftës në Mbretërinë e Arabisë nëse Izraeli do të merrte ndihmë për të realizuar një sulm ndaj Iranit.
Ali Shihabi, një analist saudit i afërt me oborrin mbretëror, tha: “Iranianët kanë deklaruar: ‘Nëse shtetet e Gjirit i hapin hapësirat e tyre ajrore për Izraelin, kjo do të ishte një akt lufte’.”
Diplomati tha se Teherani kishte dërguar një mesazh të qartë në Riad se aleatët e tij në vende si Iraku ose Jemeni mund të reagojnë nëse ka ndonjë mbështetje rajonale për Izraelin kundër Iranit. Një sulm potencial izraelit ishte në qendër të bisedimeve të mërkurën mes sundimtarit de facto saudit, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, dhe Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi, i cili ishte në një turne në Gjirin Persik për të siguruar mbështetje.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë kur u pyet nëse qeveritë e Gjirit kishin kërkuar nga Uashingtoni të siguronin që përgjigja e Izraelit të ishte e matur. Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu biseduan të mërkurën mbi hakmarrjen izraelite në një telefonatë që të dy palët e përshkruan si pozitive. Jonathan Panikoff, ish-zëvendës oficer i inteligjencës kombëtare amerikane për Lindjen e Mesme dhe tani në Atlantic Council në Uashington, ka pohuar se “Shqetësimi i shteteve të Gjirit pritet të jetë një pikë kyçe në bisedat me homologët izraelitë për ta bindur Izraelin që të ketë kujdes.”
Sipas dy zyrtarëve të lartë izraelitë, Izraeli do të kalibrojë përgjigjen e tij dhe, deri të mërkurën, nuk kishte vendosur nëse do të godiste fushat e naftës në Iran. Ky opsion është njëri nga disa që u paraqitën nga institucionet e mbrojtjes për liderët izraelitë, sipas zyrtarëve.
Ministri i Mbrojtjes izraelit, Yoav Gallant, tha të mërkurën: “Sulmi ynë do të jetë fatal, i saktë, dhe mbi të gjitha – befasues. Ata nuk do të kuptojnë çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Ata do të shohin rezultatet.”
Do të jemi në mes të një lufte me raketa. Ekziston një shqetësim serioz, veçanërisht nëse sulmi izraelit synon instalimet e naftës në Iran,” po ashtu i kanë pohuar mediumit në fjalë, burimet diplomatike nga Gjiri Persik. Ata kanë pohuar se një sulm izraelit në infrastrukturën e naftës në Iran do të kishte një ndikim global, veçanërisht për Kinën – blerësi kryesor i naftës iraniane – si dhe për Kamala Harris përpara zgjedhjeve presidenciale më 5 nëntor, në të cilat ajo po garon kundër Donald Trump.
Nëse çmimet e naftës rriten në 120 dollarë për fuçi, kjo do të dëmtonte si ekonominë amerikane ashtu edhe shanset e Harris në zgjedhje. Prandaj, (amerikanët) nuk do të lejojnë që lufta për naftë të përshkallëzohet,” kanë pohuar këto burime. Ndërkohë, Bernard Haykel, profesor i Studimeve të Lindjes së Afërt në Universitetin Princeton, ka vënë në pah Riyadhi i mbetet i rrezikuar “sepse iranianët mund të sulmojnë këto instalim për shkak të distancës së shkurtër nga toka”.
Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjenden në mes këtyre presioneve, në njërën për shkak të aleancës me Izraelin dhe në anën tjetër me shtetet arabe. Ato janë shpërsuar tej mase veçanërisht që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës kundër Hamasit. Përkundër përpjekjeve të mëhershme diplomatike të Uashingtonit për ti afruar vendet arabe me Izrealin. Mirëpo, numri i madh i viktimave civile në këtë luftë ka shkaktuar zemërim publik në atë botë. Për këtë më herë disa kablo diplomatike që ishin bërë publike të dërguara nga ambasadat e SHBA-ve në Lindje të Mesme, alarmonin, se mbështetja e fuqishme amerikane për fushatën ushtarake të Izraelit është duke ndikuar në humbjen e mbështetjes së publikut në atë rajon për gjenerata të tëra.