Përgatiti: Afrim Kasolli
Publikimi i strategjisë nacionale amerikane në masë të madhe është interpretuar si tendencë e hapur izolacioniste e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ku tash e tutje kjo superfuqi planetare do të rifokusohet vetëm në kontinentin amerikan sipas doktrinës Monroe dhe se do të jetë indiferente nga fati tjetër i botës. Pra në dallim nga pesha hegjemonike globale aktuale ajo do të shndërrohet në një “fuqi regjionale”.
Megjithatë, sipas analistit të njohur, Fareed Zakaria, në shkrimin Trump’s Doctrine is “Make America smalli again” një projeksion i tillë është i pamundur.. SHBA-të janë vendi më i fuqishëm në histori dhe pushteti i tyre ka ardhur duke akumuluar sidomos gjatë tri dekadave të fundit për shkak të dominimit teknologjik dhe kompanive të tyre. Prandaj, ajo nuk mund ta kufizojë vetën në këtë mënyrë pa konsekuenca masive për vetveten dhe botën. Është e rëndësishme të përkujtohet këtu se në kohën kur Presindeti James Monroe, e kishte kumtuar këtë doktrinë në vitin 1823, SHBA-të ishin një vend i vogël, me bazë modeste prodhuese bujqësore dhe me rreth 10 milionë banorë dhe gjithsej 24 shtete. Forcat e asaj të armatosura nuk ishin as ndër 15 fuqitë militare. Me këtë rast Monrore u përcaktua për njohjen e pavarësisë së disa shteteve të Amerikës Latine që u pavarësuan nga Spanja dhe Portugalia duke i paralajmëruar fuqitë tjera imperiale evropiane që të mos tundohen nga projektet e rikolonilzimit të tyre. Pra doktrina e tij ishte anti-kolonialiste dhe anti- intervecioniste.
Megjithatë është absurde të mendohet sot operimi i SHBA-ve sipas kësaj skeme. Në fund të fundit këmbimi tregtar me të gjitha vendet e Amerikës Latine, përjashto Meksikën është 450 miliardë dollar, kurse me BE-në mbi 1.5 trilion, ndërkohë me Azinë mbi 2 trilionë. Ajo që administrata Trump ka propozuar, konstaton Zakaria është në shumëçka e ngjashme me atë që e kishin formuluar izolacionistët ne viteve 1920 dhe 1930; distancim sa më shumë nga zhvillimet evropiane dhe ashpërsim i politikave kundër emigracionit. Mjerisht, situata globale, po ashtu sot i ngjan në masë të madhe gjendjes së viteve ’30 të shekullit të kaluar. Ato sot janë i vetmi vend që kanë kapacitetin për ta mbajtur sistemin ndërkombëtar në këmbë. Tërheqja e tyre do të shkaktonte një vakum me pasoja të paparashikueshme. Një shekull më parë, Amerika refuzoi të merrte përsipër barrën e saj dhe sistemi ndërkombëtar u shemb, duke çuar në Luftën e Dytë Botërore. Sot ka shumë forca të tjera stabilizuese në botë, por një Amerikë që kujdeset kryesisht për “oborrin e vet” do ta lërë botën pa drejtim, të paqëndrueshme dhe kaotike.
Prandaj, sipas të gjitha gjasave SHBA-të nuk mund të kenë shpëtim nga fati i tyre tragjik. Ato siç ka thënë ish-diplomati i njohur Henry Kissinger, as nuk mund ta mbajnë botën, por as nuk mund të tërhiqen nga ajo.