Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka qëndruar sot paradite në veri të Mitrovicës.
Ai është parë këmbë përgjatë sheshit kryesor ‘Kral Petar’, duke hyrë më pas në selinë e ‘Listës serbe’ në veri të Mitrovicës.
Mësohet se aty është takuar me kryetarin e kësaj Liste, Goran Rakiq, me të cilin ka biseduar rreth situatës aktuale politike dhe të sigurisë në atë pjesë të vendit.
Brenda takimit është bërë e ditur se ambasadori Szunyog veç tjerash ka diskutuar edhe për mundësinë e kthimit në institucionet e Kosovës.
Sipas të njëjtave burime, Szunyog ka takuar paraprakisht edhe ish kryetarin e Gjykatës së Apelit në veri, Nikolla Kabashiq, me të cilin ka shqyrtuar mundësinë e kthimit të gjykatësve serbë dhe punëtorëve administrativë në pozitat e tyre.
Takimi me këtë të fundit është zhvilluar në Shtëpinë e Evropës në veri të Mitrovicës.
/TV Arbëria