Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, mund të ndikojë në përshkallëzim të situatës.
Në një reagim të kësaj ambasade u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës të koordinohen për veprimet me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar angazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështje të tilla.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë. Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhet në reagim.
Në një konferencë për media të martën, aksionin e Policisë së Kosovës në veri e ka kritikuar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Bashkimi Evropian do të dalë me reagim së shpejti për ngjarjen.
“Ka qenë ngjarje shumë e padobishme. Reagimi jonë zyrtar do të lëshohet herët pasdite”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, edhe Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. /Reporteri.net