Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 10-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Almir Kryeziu.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Skender Kapra, Luan Tabaku, Fisnik Ademi.
Ky komision vendosi që sulmuesi këmbëshpejtë i FC Ballkani, Almir Kryeziu të shpallet “Ylli i Javës”, pasi ai shënojë 2 gola në fitoren e kampionëve në fuqi përballë FC Liria, me përmbysje të rezultatit (4:1).
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e @fcballkaniofficial , Almir Kryeziu e ndau Valjetë Krasniqi, organizatore e eventeve në Albi Mall.
Pasi mori këtë çmim sulmuesi u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme për të ruajtur kreun e tabelës.
“Jam mirënjohës ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës për vlerësimin e tyre, po ashtu falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi dhe shtabin teknik të Ballkanit për përkushtimin dhe përkrahjen gjatë ndeshjes së fundit. Ishte një përballje e veçantë dhe dëshiroj të theksoj se ishte një sfidë e vështirë për mua dhe skuadrën time, sidomos duke qenë në disavantazh kundër skuadrës së fortë të Lirisë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të përmend se kjo ndeshje kishte një ndjenjë të veçantë për mua. Në fakt, kjo ishte emocionale për mua, pasi kam kaluar shumë vite në shkollën e futbollit të Lirisë, ku jam rritur duke kaluar përmes të gjitha grupmoshave”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai ka folur edhe për sfidën e radhës së portokallezinjve në UEFA Conference League kundër Astanës.
“Ne jemi të gatshëm për këtë sfidë. Do të jemi të përgatitur dhe do të japim më të mirën tonë në fushë. Kemi një skuadër të fortë dhe besoj se mundemi të arrijmë suksese në këtë kompeticion”, ka shtuar Kryeziu.
/TV Arbëria