Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Alma Lama: Bordi i Paqes, një iniciativë me pikëpyetje për efikasitetin dhe jetëgjatësinë

Alma Lama: Bordi i Paqes, një iniciativë me pikëpyetje për efikasitetin dhe jetëgjatësinë

Ish-deputetja dhe analistja politike Alma Lama ka komentuar themelimin e Bordit të Paqes, një iniciativë e re globale e themeluar në Davos të Zvicrës nën udhëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump, duke ngritur disa pikëpyetje mbi qëllimin, përbërjen dhe funksionalitetin e tij.

Sipas Lamës, Bordi i Paqes fillimisht ka lindur nga ideja për rindërtimin e Gazës, por më pas është zgjeruar si një iniciativë më e gjerë për arritjen e paqes dhe menaxhimin e konflikteve ndërkombëtare. Ajo thekson se ftesa për anëtarësim iu është dërguar rreth 60 vendeve, kryesisht aleate të SHBA-së, por edhe vendeve si Rusia dhe Kina.

Në ceremoninë e nënshkrimit të bordit themelues kanë marrë pjesë 19 shtete, ndërsa rreth 30 vende të tjera i janë përgjigjur pozitivisht ftesës. Megjithatë, një numër shtetesh kanë refuzuar pjesëmarrjen për arsye të ndryshme. Lama përmend si arsye kryesore ftesën drejtuar presidentit rus Vladimir Putin përkundër luftës në Ukrainë, si dhe perceptimin se kjo iniciativë mund të shihet si një tentativë për delegjitimimin e Kombeve të Bashkuara.

Ajo ka theksuar se kritika të shumta lidhen edhe me projektin për Gazën, i cili, sipas saj, po trajtohet si një “realitet i kryer” dhe jo si një përpjekje reale për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Në këtë kontekst, Lama nënvizon se fakti që Hamasi mbetet një organizatë terroriste me ndikim e bën projektin e rindërtimit tejet të vështirë për t’u realizuar.

Sipas Lamës, kundërshtime ka pasur edhe lidhur me aspektin financiar të Bordit të Paqes, pasi vendeve anëtare u kërkohet një kontribut prej 1 miliard dollarësh për të vazhduar pjesëmarrjen pas tre vitesh.

Duke folur për përbërjen e vendeve pjesëmarrëse, Lama ka thënë se shumë shtete nga bota arabe i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për shkak të interesit të drejtpërdrejtë në çështjen palestineze, por kanë kërkuar që kjo iniciativë të funksionojë brenda kornizës dhe rregullave të OKB-së. Ndërkohë, sipas saj, një pjesë e vendeve pjesëmarrëse janë shtete që kanë varësi të theksuar nga SHBA-ja, qoftë ekonomike apo të sigurisë.

Ajo ka shtuar se Kanadaja, Britania e Madhe dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë refuzuar ftesën, me përjashtim të Hungarisë dhe Bullgarisë. Në këtë kontekst, Lama ka përmendur se presidenti bullgar është kritikuar ashpër në vendin e tij për mungesë legjitimiteti, pas dorëheqjes.

Sa i përket Kosovës, Alma Lama ka deklaruar se përgjigjja pozitive ndaj ftesës ishte e pritshme, duke pasur parasysh, siç tha ajo, “nevojën ekzistenciale të Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”.

Në fund, Lama ka ngritur dyshime mbi efikasitetin e Bordit të Paqes dhe ka pyetur nëse kjo iniciativë do të ketë jetëgjatësi përtej mandatit të presidentit aktual të SHBA-së. Sidoqoftë, ajo ka vlerësuar se çdo iniciativë që synon paqen duhet, në parim, të mbështetet.

/TV Arbëria