Fadil Aliu nga LDK-ja, në emisionin “N’PULT”, ka folur lidhur me raportet e Kosovës me SHBA-të. Ai ka potencuar se një angazhim diplomatik 30-vjeçar është degraduar në pikën më të ulët nga pushteti aktual, në krye me Lëvizjen Vetëvendosje.
Aliu ka folur për angazhimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke ngritur lartë punën e tij në aspektin diplomatik.
“Postulati themelor i atij themeltari të shtetit të Republikës së Kosovës, i presidentit historik Ibrahim Rugova, ka qenë shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, me integrim në BE dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Mos harroni diplomacinë aktive, të urtë dhe me një kulturë të jashtëzakonshme, e cila ka arritur ta sjellë botën, komplet botën, për të intervenuar dhe bombarduar armikun tonë, Serbinë, përballë gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë. Presidenti Rugova ka investuar shumë që prej vitit 1989, dhe deri kur ka ndërruar jetë, ka investuar shumë për ruajtjen e këtyre marrëdhënieve, sepse janë thelbësore për shtetin e Kosovës. Dhe më vjen shumë keq që një angazhim tridhjetëvjeçar për ruajtjen e këtyre marrëdhënieve ka arritur të degradohet në pikën më të ulët të mundshme në historinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së. Dhe si rezultat vjen edhe një status në Twitter, i cili deklaron se qeveria aktuale është mashtruese dhe i bën thirrje popullit të Kosovës të mos i besojnë. Nuk e di çka duhet të thonë SHBA-të që t’i thonë shtetit të Kosovës: ‘Keni kujdes, sepse ne nuk mund të funksionojmë me këtë person. E kemi provuar katër vjet dhe nuk ka ecur, vetëm ka degraduar, gjithçka është duke shkuar mbrapsht, dhe nuk do të mundeni të punoni me këtë njeri’.”
Aliu nga LDK-ja gjatë intervistës ka thënë se kjo parti, nëse merr pushtetin pas zgjedhjeve, do të bëjë maksimumin në aspektin diplomatik për t’i rregulluar raportet me SHBA-të.
“Unë mund t’i garantoj që LDK-ja do të bëjë përpjekje maksimale dhe do të investojë jashtëzakonisht shumë në rregullimin e marrëdhënieve me SHBA-të, sepse është interes kombëtar. Është diçka që duhet të veçohet mbi të gjitha interesat e tjera që kemi. SHBA-të janë pjesë thelbësore e jetës dhe themeleve të shtetit tonë dhe do të bëjmë çmos. Mirëpo, mos të harrojmë që dëmi është shumë i madh. Do të bëjmë përpjekje dhe besoj se do ta arrijmë, sepse SHBA-të janë një shtet shumë racional dhe e kuptojnë gjendjen politike, çka po ndodh. Dhe momentin që ata shtrijnë dorën e pajtimit, unë besoj se ata do ta mbështesin këtë. Veprimi i parë që do të bëjë Lumir Abdixhiku si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, është që, në javët e para, do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë, gjë që kryeministri aktual nuk ka guxuar ta bëjë as nga Uashingtoni,” ka deklaruar ai në emisionin “N’PULT”.