Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Ali Gashi: Pa unitet politik dhe pa rritje pagash rrezikohet funksionimi i administratës publike

Ali Gashi: Pa unitet politik dhe pa rritje pagash rrezikohet funksionimi i administratës publike

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi, ka bërë thirrje për konsensus politik mes partive, në zgjedhjet e parakohshme të 28 nëntorit, duke theksuar se mungesa e gjatë e institucioneve po dëmton drejtpërdrejt shërbyesit civilë dhe funksionimin e institucioneve.

Ai ka paralajmëruar se viti që po lë pas do të mbetet vit “që lë për të dëshiruar” për punëtorët e sektorit publik, ndërsa theksoi se prioritet duhet të jetë rritja e pagave dhe trajtimi i kushteve të punës në sektorin publik.

“Problemet janë të shumta, të them të drejtën ky vit që jemi duke e lënë është një vit që lë për të dëshiruar duke marrë parasysh që nuk kanë avancuar të drejtat e punëtorëve, apsolutisht do të thotë me pagat që mezi ja dalin shërbyesit civil në fund të muajit dhe rrjedhimisht nuk kemi as sot Këshill Ekonomiko Social, një institucion shumë i rëndësishëm ku thjeshtë diskutohet për çështjet edhe problematikat që kanë të bëjnë me gjendjen sociale, mungesa e marrëveshjes së përgjithshme kolektive pothuajse jemi vend i vetëm në rajon por mbi të gjitha edhe kushtet e punës të cilat asnjëherë asnjë qeveri, e as kjo qeveri as që është interesuar që të bëjë një vlerësim të kushteve të punës së shërbimit civil nëpër gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se largimet nga administrata publike janë bërë trend edhe për shkak të pagave të ulëta dhe konkurrencës më të lartë nga sektori privat.

“Trendi i ikjeve sikur në të gjithë sektorët edhe te sektor i shërbimit civil ndikon, për arsye se ndikon edhe gjendja ekonomike, por edhe secili shikon të punoj edhe të angazhohet për një pagë të mirë për një mirëqenie sociale. Pagat të cilat janë tani te shërbyesit civil janë pagat të cilat nuk i plotësojnë kushtet janë paga të pa dinjitetshme dhe thjeshtë, pozitat ose profesionet e rëndësishme duke u nisur nga inxhinierët, specialistët e profileve të ndryshme, jurist ekonomist dhe të tjerë nuk e shohin veten në sektorin publik, për arsye sepse po të njëjtën punë ta kryen një inxhinier i secilit profil e ka pagën përmbi 1500 euro minimumi te sektori privat. Ndërsa te sektori publik sillet tek 700 euro. Cili është motivi i tij të punojë. Jo vetëm që kemi ikje nga shërbimi civil, por fatkeqësia e madhe që kemi pothuajse shumë pak të interesuar në sektorin publik te pozitave që i quajmë ne të rëndësishme. Kjo bënë jashtëzakonisht shumë problematikë sepse qëllimi jonë është forcimi, reformi dhe specializimi i administratës publike. Pa një shërbim civil të fortë, profesional nuk mund të zhvillojmë as politikë e as nuk mund të ecim përpara”, tha ai.

Duke folur për nevojën për unitet politik, Gashi ka theksuar se interesat e punëtorëve dhe të shtetit duhet të vendosen para inateve personale.

Ai ka apeluar që pas zgjedhjeve të formohen institucionet në kohë rekord dhe si prioritet të vendoset rritja e pagave në sektorin publik.