Shkruan: Afrim Kasolli
Ndonëse i thonë vetit si Qeveri në detyrë, megjithatë nuk kanë munguar vendimet që e trashin pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje. Emërimi i sotëm i Mentor Hysenit si Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, shënon vetëm epilogun e fundit të kapjes së institucioneve publike nga partia në pushtet. I njëjti kishte qenë në listën për deputet nga ku subjekt në zgjedhjet e kaluara. Dhe sipas mediave ai kishte edhe aktakuzë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.
E një proces i tillë i shndërrimit të shtetit në zyre të punësimit të militantëve partiak, po ndodh në një kohë kur Kosova nuk ka parlament, dhe po qeveriset me një ekzekutiv që sipas Gjykatës Supreme të paktën deputetët që mbajnë poste ministrore, nuk kanë të drejtë të marrin vendime administrative dhe qeverisëse. Këtu nuk duhet harruar faktin se pikërisht përzgjedhja e sotme është bërë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila nëpërmjet një komunikate, ka treguar “se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.
Paralelisht me këtë çimentim të pushtetit politik po ndodh edhe konsolidimi i atij ekonomik. ZRrE ka treguar se Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale e ka konsideruar si të ligjshëm vendimin e saj për detyrimin e bizneseve që të dalin në treg të hapur energjetik. Madje ky trup administrativ i ka paralajmëruar konsumatorët komercial se nëse deri datë 16 gusht nuk nënshkruajnë kontratë me furznisuesit e licencuar do të mbesin pa rrymë. Ndërkohë, me qëllim të ofrimit të këtij malli pos KESCO-së, ZRRE, nuk ka harruar ta licencojë kompaninë e vëllait të Shefit të kabinetit të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Me këtë rast, më shumë se asnjë herë tjetër, superstruktura politike po shndërrohet në infrastrukturë ekonomike dhe anasjelltas. Ku pushteti, ekonomia dhe punësimi po mbyllen brenda qarkut hermetik të një instance të vetme.
Sidoqoftë, opozita po mjaftohet me pretendimin se si gjatë këtij mandati qenka demistifikuar lideri i Vetëvendosjes. Pra ajo tërthorazi po i gëzohet pushteti të tij, për shkak të interesave apo paaftësisë për ta ndaluar këtë prirje, me shpresën se sa më shumë i njëjti akumulon pushtet ai do t’i kthehet në bumerang. Janë iluzione të tilla të opozitës mbase edhe që kanë ndikuar që në këtë fazë Albin Kurtit si thotë një fjalë popullore t’i bie shi në kollomoq. /TVArbëria