Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral dje në Prizeren e ka vazhduar sulmin e tij ndaj Kompanisë Devolli. Nëpërmjet një kalkulimi ai pretendon se çdo qytetari të Kosovës në mënyrë të padrejtë i janë marrë nga 40 euro. Natyrisht, sipas tij kjo shumë nuk është përvetësuar drejtpërdrejtë nga xhepi i qytetarëve, por nëpërmjet zhvatjes së Telekomit të Kosovës nga kjo korporatë, zhvatje kjo e cila kap shifrën e 62.6 milionë eurove.
Me këtë rast, lider i Vetëvendosjes, u ka bërë thirrje pronarëve të Devollit që t’ia kthejnë urgjent Telekomit këto mjete si dhe të kërkojnë falje, e jo ta vazhdojë këtë përvetësim me arbitrazhe të kurdisura, sepse “malli i huaj, s’bahet i joti. Shtetin tënd, s’bën me vjedh” Kështu e vetmja rrugë për ta kërkuar “shpëtimin dhe shëlbimin” mbetet kthimi i borxhit në këtë tokë, e jo projektimi në një botë qiellore.
Janë këto abuzime, që sipas të parit të Qeverisë e bëjnë urgjentë nevojën që ta kemi një “kryeprokuror të ri, profesionist, patriot, e të ndershëm”
Për më shumë, sipas Albin Kurtit deri më tani, kanë dominuar dy forma të krijimit të shtresës oligarkike në Kosovë. Fillimisht, bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, e këta oligarkët në jug pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy këto grupe kanë qene kundër Kosovës. Tash shtrohet pyetja: a me koordinim a pa koordinim? ka përfunduar Kurti./tvarbëria/