Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Albin Kurti si ideologji shfajësuese për ndërgjegjen e vrarë të Uran Ismailit

Albin Kurti si ideologji shfajësuese për ndërgjegjen e vrarë të Uran Ismailit

Shkruan: Afrim Kasolli

Në fillim te mandatit të parë qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje më ka rënë rasti të dëgjoja disa interpretime të çuditshme të zyrtarëve të partive opozitare, se si Albin Kurti shumë shpejt do ta humbte pushtetin. Dhe sipas tyre sa a hap e mbyll sytë ata do te riktheheshin aty ku ishin pak para se të largoheshin nga majat kulmore të institucioneve.

Ky supozim naiv bazohej në pretendimin sa ai nuk i ishte i gatshëm lëshonte pe në procesin e negociatave me Serbinë, sepse në këtë mënyrë do ta rrezikonte gjithë aureolen e tij politike dhe po ashtu do t’i mungonte shkathtësia “pragmatike” për t’i negociuar interesat e brendshme për ta ndarë pushtetin me të tjerët. Shkarkimi i Agim Veliut si dhe rrëzimi i Qeverisë Kurti 1 vetëm sa e forcuan këtë vlerësim.

Se ka ekzistuar ky lloj imazhi për figurën e Albin Kurtit si një idealist i pakompromis në mesin e qarqeve te caktuara të partive që sot ndodhen ne opozitë, e dëshmon me shumë se asgjë tjetër zhgënjimi i Uran Ismailit për dështimin e të parit për t’i realizuar pritjet e të dytit.

Në podcastin e realizuar te gazetarja Grida Duma, ai deklaroi se “kurrë nuk kishte besuar se Albin Kurti do ta lejonte korrupsionin” . Pra të njëjtit mbase më e besueshme mund t’i jetë dukur apokalipsi sesa që korrupsioni do të gjente strehë nën çatinë qeverisëse të Albin Kurtit.

Sidoqoftë, një dëshpërim i tillë traumtik i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, flet shumë më shumë për të se sa për Albin Kurtin. Ai tregon se i njëjti paska qenë edhe paravan ideologjik për ta qetësuar ndërgjegjen e tij të vrarë pse i ka takuar një regjimi të kapluar nga korrupsioni, por që i njeti nuk ka mundur të bëjë asgjë kundër këtij vesi. Prandaj nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos t’i projektojë shpresat se një ditë Albin Kurti do të jetë terapia kundër kësaj patologjie politike. Ndërmjet dorëheqjes për shkak të pamundësisë së luftimit të korrupsionit dhe pajtimit, ka zgjedhur të dytën deri kur të vjen qasti që Albin Kurti të inaguroje shelbimin tonë perfundimtar për ta çliruar sistemin nga tentakulat e korrupsionit.

Këte lloj vetëdije të tjetersuar e ka përshkruar psikologu i njohur Erich Fromm në librin e tij “Të kesh apo të jesh” ku tregon se si shumica e shoqërive perëndimore për shkak të afirmimit e impulsit të posedimit, e përdoronin jetën dhe sakrificën e Krishtit si mjet të qetësuar ndërgjegjen e tyre të vrerosur, sepse ishte ai që kishte dashuruar dhe ishte martirizuar edhe për këto shoqëri.

Në këtë kontekst, Uran Ismali vetem sa e shperfaqi hapur se si e ka pasur këtë besim ideologjik, sipas së cilës Albin Kurti nuk paska qenë vetëm një openent brutal politik i Partisë që i takon, por edhe heroi i tij pasi vetëm ai do ta këtë fuqinë politike që ta kuroje shoqërine nga mekatet e trasheguara.