Nga Nikollë D. Ukaj
Historia politike e Kosovës është ndërtuar mbi etapa të qarta dhe figura që kanë lënë gjurmë konkrete në momente vendimtare. Shtetësia e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë, ku secila periudhë ka prodhuar liderë me role të dallueshme dhe përgjegjësi historike.
Në këtë proces, Ibrahim Rugova mbetet figura themelore e politikës moderne kosovare. Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989, partisë së parë demokratike dhe masive në vend, ai krijoi një orientim të ri politik, të bazuar në pluralizëm, rezistencë paqësore dhe lidhje të qëndrueshme me Perëndimin.
Etapa e luftës çlirimtare solli një dimension tjetër të shtetformimit. Prijësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, përfshirë Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limajn, u bënë pjesë e procesit që çoi drejt lirisë dhe ndërtimit të institucioneve të pasluftës. Po ashtu, figura të tjera të rëndësishme që kanë dhënë kontribut të veçantë në historinë politike të Kosovës, si Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Kolë Berisha, Mark Krasniqi, Fatmir Sejdiu e shumë të tjerë, janë figura të cilët kanë ofruar një model të qëndrueshëm të rezistencës dhe shtetformimit. Në mënyrë të veçantë, Hashim Thaçi lidhet drejtpërdrejt me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, si një nga aktet më të rëndësishme të historisë sonë moderne.
Në këtë sfond historik, vlerësimi i rolit të Albin Kurtit kërkon një analizë më të ftohtë dhe më pak emocionale. Kurti erdhi në pushtet me mbështetje të jashtëzakonshme qytetare dhe me pritshmëri të larta për ndryshim thelbësor. Megjithatë, modeli i qeverisjes që ai ka ndërtuar karakterizohet nga një lidership i fortë personal dhe nga një hapësirë e kufizuar për veprim politik të ekipit qeverisës.
Në aspektin institucional dhe shtetëror, bilanci mbetet i debatueshëm. Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës kanë përjetuar tensione të vazhdueshme, dialogu me Serbinë ka prodhuar më shumë paqartësi sesa zgjidhje, ndërsa zhvillimi ekonomik dhe funksionimi i institucioneve nuk kanë reflektuar në përputhje të plotë me pritjet e krijuara.
Diskursi politik i Kurtit ka qenë i fortë dhe dominues, por shpeshherë i shoqëruar me mungesë të rezultateve të matshme. Edhe çështjet e sovranitetit dhe veriu i vendit, të cilat përkrahësit i paraqesin si arritje, mbeten procese të hapura dhe të papërmbyllura në aspektin politik dhe juridik.
Një tregues domethënës i mënyrës se si kryeministri synon ta ndërtojë praninë e tij historike shfaqet edhe në rrafshin simbolik të politikës. Episodi i këngës së interpretuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, e cila i kushtohet Albin Kurtit përmes figurës së “Qun Mules”, nuk është thjesht një moment artistik apo spontan. Në kontekstin e një lidershipi të fortë personal, kjo formë glorifikimi përfaqëson një tentativë për ta paraprirë gjykimin historik përmes narrativës emocionale, duke e zhvendosur vëmendjen nga rezultatet shtetërore drejt mitizimit të individit. Kjo prirje nuk e forcon trashëgiminë politike, por përkundrazi nënvizon boshllëkun mes retorikës simbolike dhe bilancit real institucional.
Prandaj, pyetja përfundimtare mbetet legjitime: a do të mbahet mend Albin Kurti si lider që sfidoi sistemin, apo si kryeministër që, përkundër pushtetit të madh politik, nuk arriti të ndërtojë një trashëgimi të qartë shtetërore?
Historia, si gjithmonë, nuk gjykon retorikën, por rezultatet. Dhe pikërisht aty do të matet edhe vendi i Albin Kurtit në kujtesën politike të Kosovës.