Shkruan: Basri Beka
Në akademinë e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, kryeministri Albin Kurti përsëriti formulën e vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje: “e mbytën”, “krim nga dita e arrestimit”, “nuk e dimë emrin e vrasësit”. Kjo nuk është kërkesë për drejtësi. Është përpjekje për të mbajtur një rast të zbardhur si “vrasje politike”.
Video-incizimet e Qendrës së Paraburgimit në Prizren për 5 nëntor 2016 u ekzaminuan nga IT Forensics i Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) të Austrisë. Raporti i vitit 2017, i pranuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, konstatoi se materialet ishin autentike, pa manipulim apo ndërprerje. Astrit Dehari ishte i vetëm në qeli. Ekspertiza plotësuese e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë (e pranuar nga Prokuroria Speciale në prill 2022) analizoi objektet në kontakt me Deharin në momentet e afërta me vdekjen dhe nuk gjeti asnjë profil tjetër ADN përveç atij të Deharit. Këto dy ekspertiza mbyllin hapësirën për teorinë e “personit të tretë në qeli”.
Kurti i anashkalon të dyja. Ai citon selektivisht autopsinë kosovare për asfiksinë mekanike me shishe plastike dhe raportin e hershëm të Lozanës (2019) që ngrinte dyshime metodologjike, por nuk përmend rezultatin përfundimtar të ADN-së as video-incizimet austriake. Po ashtu, ai referon ekspertët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj sikur ata “përjashtojnë vetëvrasjen”, duke anashkaluar ekspertizat që nuk lënë hapësirë për praninë e një personi tjetër. Kjo nuk është harresë. Është zgjedhje politike.
Fjalimi është i ndërtuar mbi dy shtresa manipulimi. E para është fakti: 68 ditë paraburgim pa pyetje, deklaratat e hershme të Nexhmi Krasniqit dhe Sylë Hoxhës, dhe “pesë prokurorë të ndërruar” nuk provojnë automatikisht vrasje në qeli. E dyta është emocioni: drejtimi te nëna Xhemile, përmendja e vajzës Arsa dhe poezisë së saj, dhe formulimi se “drejtësia për Astritin korrigjon humbjet e dekadave”. Kjo është përdorim i dhimbjes familjare për të mbuluar mungesën e provave për “vrasje politike”.
Qëllimi është i njëjtë me praktikën që LDK ndoqi pas luftës: të prodhohet një hero pa merita reale për kauzën e partisë, duke polarizuar shoqërinë dhe duke luajtur me dhimbjen e familjes. Atëherë u krijuan “vrasje politike” të fabrikuara për të ndërtuar mit. Sot Kurti dhe Vetëvendosja po bëjnë të njëjtën gjë me rastin Dehari.
Kurti është kryeministër që nga viti 2020. Gati gjashtë vjet në pushtet, me kontroll mbi institucionet e sigurisë dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi prioritetet e prokurorisë. Në këtë periudhë nuk ka pasur asnjë hap të dukshëm institucional për të mbyllur rastin me vendim të qartë. Përkundrazi, narrativi i “vrasjes së pazbardhur” është mirëmbajtur sistematikisht. Nëse rasti ishte vërtet “krim politik”, pushteti aktual kishte të gjitha levat për të nxitur hetim të pavarur dhe për të nxjerrë emra. Nuk e bëri. E mbajti të hapur si instrument, pikërisht siç veproi dikur LDK. Thirrja e tij për “hetim të pavarur e profesional” pas gjashtë vjetësh në pushtet është e zbrazët.
Astrit Dehari ishte student i mjekësisë dhe aktivist. Vdekja e tij në paraburgim ishte tragjike. Por përkthimi i saj në “vrasje politike” kundër provave forenzike austriake dhe zvicerane është poshtërim ndaj faktit, ndaj familjes dhe ndaj vetë Kosovës. Kur një kryeministër në detyrë zgjedh mitin mbi ekspertizën ndërkombëtare, duke ndjekur shembullin e LDK-së së pasluftës, problemi nuk është më rasti i vitit 2016. Problemi është qeverisja e vitit 2026.
Albin, Astriti protestonte kundër mallrave serbe. Sot, nën qeverisjen tënde, Kosova importon mallra nga Serbia në vlerë mbi 800 milionë euro. Prandaj, ndalo së përdoruri emrin e tij për retorikë politike dhe së paku mos e harro hipokrizinë e këtij qëndrimi!