Sot, Ministria e Financave ka njoftuar se Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Nga ministria janë shprehur ‘’besim plotë’’ se Hyseni do të vazhdojë sipas tyre ‘’punën e mirë që është bërë deri më tani’’, shkruan Gazeta Express.
Nga ministria është deklaruar edhe se ky proces i zgjedhjes së Hysenit drejtor i ATK’së është bërë në mënyre profesionale.
‘‘Z. Mentor Hyseni emërohet Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni. Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë. MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë’’, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Megjithatë, Hyseni tashmë drejtor i ATK-së del të jetë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Kjo s’është pozita e parë që anëtari i VV-së ka arritur ta sigurojë gjatë mandatit të kësaj partie në pushtet.
I njëjti duket se gjatë këtij mandati ka ‘kërcyer’ nga pozita në pozitë. Vetëm së fundi, ai ka ushtruar detyrën e drejtorit Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Por kjo s’është e vetmja pozitë që anëtari i VV-së e ka ushtruar. Ai më herët ishte emëruar edhe në krye të bordit të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”. Gjë për të cilën kishte shkruar edhe vetë Rozeta Hajdari.
Ajo në postimin e saj e kishte pranuar se Hyseni ishte anëtarësuar në VV para se të merrte detyrën e tij në KRU Prishtina.
‘‘Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani’’, kishte shkruar ajo. /GazetaExpress