Reagime të ashpra kanë ardhur pas paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 21 për qind. Alban Hoti e ka cilësuar këtë kërkesë si një vendim katastrofik për qytetarët e Kosovës, familjet me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe ekonominë e vendit në përgjithësi.
Sipas Hotit, në një realitet ku pagat mbeten të ulëta, inflacioni ka goditur fuqishëm dhe kostoja e jetesës po rritet vazhdimisht, një rritje e tillë është e padrejtë, e pamatur dhe e papërgjegjshme.
Ai thekson se energjia elektrike nuk është luks, por nevojë jetike për qytetarët dhe bizneset. “Rritja e çmimit të rrymës do të thotë fatura më të larta për familjet, mbyllje të bizneseve, humbje të vendeve të punës dhe varfërim të mëtejshëm të shoqërisë”, ka deklaruar Hoti.
Sipas tij, ky vendim e shtyn Kosovën edhe më thellë drejt pasigurisë ekonomike dhe sociale, ndërsa dështimet e politikave energjetike nuk mund të transferohen mbi shpinën e qytetarëve.
Hoti ka kritikuar institucionet përgjegjëse, duke përmendur keqmenaxhimin, mungesën e investimeve serioze, varësinë nga importi dhe mungesën e transparencës në sektorin energjetik. Ai ka theksuar se ekzistojnë alternativa konkrete, si auditimi i plotë i sektorit, ulja e humbjeve, lufta kundër abuzimeve, mbështetja për prodhimin vendor dhe mbrojtja reale e konsumatorit.
“Populli i Kosovës nuk do ta pranojë këtë padrejtësi dhe nuk do të heshtë përballë një vendimi që i shtyn qytetarët drejt varfërisë”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se çdo institucion që injoron këtë realitet mban përgjegjësi politike dhe morale për pasojat.
Ai ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të rritjes së paralajmëruar dhe hapjen e një procesi transparent, me përfshirjen e shoqërisë civile, bizneseve dhe përfaqësuesve të qytetarëve.
“Energjia duhet të jetë e përballueshme, e drejtë dhe në shërbim të qytetarit, jo një barrë shtypëse. Kosova ka duruar mjaft – kjo vijë nuk do të kalohet”, ka përfunduar Hoti.