Alban Hoti ka njoftuar se në një ceremoni solemne të mbajtur më 11 tetor në Maltë, është emëruar Prior i Madh i Kosovës (Grand Prior of Kosova), në kuadër të Urdhrit Spitalor të Shën Lazarit të Jerusalemit.
Sipas njoftimit të tij, pas përpjekjeve dhe angazhimit të vazhdueshëm, Kosova është bërë pjesë e Priorateve të Mëdha të Bashkuara të këtij urdhri, përmes themelimit të Prioratit të Madh të Kosovës.
Hoti e cilësoi këtë emërim si një përgjegjësi të rëndësishme, duke theksuar se synimi i tij është që ky institucion të shërbejë si urë miqësie ndërmjet Kosovës dhe botës, me fokus në veprimtarinë humanitare.
Ai bëri të ditur se prioritet do të jetë mbështetja e personave që vuajnë pasojat fizike dhe shpirtërore të luftës, familjeve në nevojë, të sëmurëve dhe personave që kanë nevojë për përkujdesje.
Hoti theksoi se qëllimi është që trashëgimia historike të ndërthuret me përgjegjësinë humanitare, duke promovuar vlerat e nderit, besës, solidaritetit dhe shërbimit ndaj njerëzimit.