Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave të ndërmarra për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të dy ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, që do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndeshjet do të jenë ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Çeki, më 16 nëntor 2024, dhe Shqipëri dhe Ukrainë, më 19 nëntor 2024.
Policia e Shtetit ka përgatitur masat e mëposhtme:
Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë dhe Shqipërisë, duke nisur nga aeroporti i Rinasit, në hotel, stadium dhe kthim;
Kryerja e kontrolleve të hollësishme për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara para futjes në stadium;
Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik, si brenda stadiumit, ashtu edhe në territorin e qytetit të Tiranës;
Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimi i trafikut rrugor në qytet.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar se do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes. Rrugët që do të jenë të bllokuara përfshijnë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rrugën “Papa Gjon Pali II”, dhe disa rrugë të tjera të afërta me stadiumin.