Blog Post

Arbëria TV > Bota > Alarmi për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, zyrtari i lartë amerikan: Përgjigjja e Iranit dhe Hezbollahut në proces planifikimi

Alarmi për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, zyrtari i lartë amerikan: Përgjigjja e Iranit dhe Hezbollahut në proces planifikimi

Vrasja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran të Iranit javën e kaluar zgjoi frikën se konflikti i Gazës mund të përhapet në rajon derisa para kësaj ngjarje kishte një lloj optimizmi për një armëpushim. Udhëheqësia e Iranit tha se hakmarrja për vrasjen e tij bie në përgjegjësinë e tyre dhe paralajmëroi “ndëshkim të ashpër” i cili do të ndodhë në “një kohë të përshtatshme” kundër Izraelit të cilin e fajëson për vrasjen e Haniyeh. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, lëshoi ​​një urdhër që Irani të godasë drejtpërdrejt Izraelin, i cili nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatin. Përveç Haniyeh, në Bejrut të Libanit u vra edhe një komandan i lart i Hezbollahut.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden bashkë me zëvendësen e tij, Kamala Harris, si dhe ekipin e tij të hënën u mblodhën në një takim të sigurisë kombëtare. Biden tha se ai ishte informuar për përgatitjet për të mbështetur Izraelin nëse ai sulmohej, ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se zyrtarët po punonin për të parandaluar një përshkallëzim.

Inteligjenca amerikane së fundi vlerësoi se do të kishte dy valë sulmesh nga Hezbollahu dhe Irani – siç raportuan zyrtarë të lartë amerikanë gjatë një takimi për sigurinë të mbajtur nga presidenti amerikan Joe Biden. Megjithatë, kush do të godasë i pari dhe çfarë pasoja mund të shkaktojnë sulmet mbetet ende e paqartë.

Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, u kanë thënë qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani, nga ku dyshohet se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani, mund të ketë rol në përgjigje.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë amerikan vuri në dukje se përgjigjja e Iranit dhe Hezbollahut është ende “në proces planifikimi”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë takimit në Dhomën e Situatave, Biden dhe Harris u informuan për disa ushtarë amerikanë të cilët u plagosën rëndë në një sulm me raketa të kryer nga milicitë pro-iraniane në bazën ajrore Ain al-Assad në Irak.

“Ata diskutuan hapat që ne po ndërmarrim për të mbrojtur forcat tona dhe për t’iu përgjigjur çdo sulmi ndaj popullit tonë në mënyrën dhe vendin që ne zgjedhim”, tha Shtëpia e Bardhë.

Një zyrtar i lartë tha se Pentagoni pret sulme shtesë nga milicitë pro-iraniane kundër forcave amerikane në rajon në ditët në vijim dhe theksoi se tensioni në rritje në zonë i bën milicitë të ndihen më pak të kufizuar nga Irani sesa ishin në muajt e fundit – gjë që i çon ata në sulme ndaj forcave amerikane.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, tha në një konferencë për gazetarët të hënën tha se Administrata Biden i ka përcjellë një mesazh Iranit se SHBA do të mbrojë Izraelin nëse sulmohet.

Ndërkaq, qeveria iraniane ka thënë se çdo sulm hakmarrës do të përfshijë gjithashtu forcat e saj përfaqësuese, të cilat përfshijnë Hezbollahun në Liban, Houthis në Jemen dhe militantë në Irak.

Tensionet midis Izraelit dhe përfaqësuesve të Iranit ishin tashmë të larta përpara vrasjes së zotit Haniyeh, e cila ndodhi një ditë pasi një sulm izraelit në Bejrut vrau Fuad Shukr, një komandant i rangut të lartë të Hezbollahut. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tha pas sulmit në Bejrut se konflikti i grupit me Izraelin kishte hyrë në një fazë të re dhe kërcënoi me një hakmarrje të madhe.

Hezbollahu ka qenë i përfshirë në sulme kokë më kokë me Izraelin për muaj të tërë në mes të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza. Hezbollahu ka gjuajtur mijëra raketa dhe drone drejt Izraelit, duke deklaruar se vepron në solidaritet me Hamasin, i cili gjithashtu mbështetet nga Irani. Izraeli është kundërpërgjigjur, si dhe ka evakuuar dhjetëra mijëra qytetarë të tij në Izraelin verior pranë kufirit me Libanin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se kishte dërguar 32 tonë furnizime mjekësore urgjente në Liban në rast të një konflikti më të gjerë.

Çfarë kanë thënë liderët izraelitë?

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se vendi i tij ishte “në një luftë shumë frontesh kundër boshtit të keq të Iranit” dhe ishte “i përgatitur për çdo skenar – si në sulm ashtu edhe në atë mbrojtje”.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, foli me sekretarin e mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin III, të hënën dhe e informoi atë mbi “gatishmërinë e ushtrisë izraelite për të mbrojtur Izraelin kundër kërcënimeve të mundshme të paraqitura nga Irani dhe përfaqësuesit e tij”, sipas një deklarate nga zyra e shtypit e qeverisë izraelite.

Të dielën, Gallant tha në një bazë izraelite: “Ne jemi të përgatitur shumë fuqishëm në mbrojtje, në tokë dhe në ajër dhe jemi gati për të sulmuar ose për t’u përgjigjur. Nëse guxon të na sulmojë, do të paguajë një çmim të rëndë”.

Çfarë po ndodh në diplomaci?

Me Iranin dhe përfaqësuesit e tij që kërcënojnë me një sulm ndaj Izraelit, po bëhen përpjekje të furishme diplomatike për të parandaluar një luftë më të gjerë.

Presidenti Biden mblodhi ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe foli me Mbretin Abdullah II të Jordanisë të hënën, një ditë pasi ministri i jashtëm jordanez, Ayman Safadi, udhëtoi në Teheran për takime me homologun e tij iranian. Jordania është një aleat i ngushtë perëndimor dhe ndihmoi në kapjen e raketave dhe dronëve iranianë në prill gjatë një sulmi kokë më kokë midis Iranit dhe Izraelit.

“Përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt”, u tha gazetarëve në një konferencë të hënën Mattheë Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai shtoi se po i dërgojnë mesazhe Iranit përmes aleatëve të tij në rajon se një sulm nuk do t’i shërbente interesave iraniane apo rajonit.

“Udhëheqësit diskutuan përpjekjet e tyre për të ulur tensionet rajonale, duke përfshirë një armëpushim të menjëhershëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve”, u tha nga Shtëpia e Bardhë.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, foli me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken, duke i kërkuar atij që t’i bëjë presion Izraelit që të “angazhohet seriozisht” në bisedimet e armëpushimit, tha ministria e jashtme egjiptiane në një deklaratë.

Blinken “përsëriti se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet që do të përshkallëzojnë konfliktin”, sipas Departamentit të Shtetit.

“Rusia dërgon armë në Iran”

Rusia po dërgon sisteme të mbrojtjes ajrore në Iran, thanë dy zyrtarë iranianë për Neë York Timesnjëri prej të cilëve ishte anëtar i ushtrisë së vendit, duke shtuar se Rusia ka filluar të dërgojë radarë të avancuar dhe pajisje të mbrojtjes ajrore.

Ndërsa nuk dihet saktësisht se çfarë pajisje kishte kërkuar Irani, Irani tashmë ka disa sisteme të mbrojtjes ajrore S-300 të prodhimit rus.

Sergei Shoigu, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një ish-ministër i mbrojtjes, u takua me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, dhe zyrtarë të lartë të sigurisë për të mbështetur kombin e Lindjes së Mesme.

Shoigu tha: “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë plotësisht me Iranin në fusha të ndryshme”.

Pezeshkian, ndërkohë, falënderoi Moskën për mbështetjen e Iranit në ‘kohë të vështira’, duke shtuar se dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Rusinë.