Ultimatumi u dha dhe të gjithë u larguan të paktën 50 metra nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Kjo, pasi në ato momente një zyrtare e lartë e Kuvendit të Kosovës kishte pranuar një telefonatë, sipas së cilës një bombë do të shpërthente për 10 minuta.
Doli të ishte një lajm i rremë, dhe policia orë më vonë konfirmoi se kërcënimi erdhi nga Serbia.
Megjithatë, detaje më të hollësishme dha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, me një postim në Facebook.
“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.
Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladić”, ka theksuar Sveçla.
Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur”
Mbështetje ndërkombëtare nuk kërkoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por tha se lufta hibride ndaj Kosovës po vazhdon.
“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, ka theksuar Kurti.
Ndërkaq, njohësit e sigurisë tregojnë se çfarë motivesh mund të ketë një kërcënim i tillë.
“Kjo e dëshmon faktin që Serbia, përmes kësaj forme, përmes një operacioni psikologjik hibrid, tenton që ta prolongojë dhe ta kërcënojë tutje konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Andaj, shteti i Kosovës do të duhej që në çdo formë të garantojë hapësirën e mbarëvajtjes së këtij procesi”, ka theksuar Drizan Shala, Ekspert i Sigurisë.
Por, sa janë gjasat që ky person të arrestohet?
“Ne e dimë që në Serbi blerja e numrave nuk është e caktuar sipas normativës, ku pronari i një numri mund të ndryshojë. Andaj, nëse shteti serb nuk bashkëpunon dhe nuk shkëmben informacione, atëherë do të mbetet i dëshmuar dhe i argumentuar vetëm përmes organeve përkatëse”, ka deklaruar Shala.
Kërcënime të ngjashme ka pasur disa herë, por të njëjtat kanë qenë kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar në Prishtinë “Adem Jashari” dhe gjithmonë kanë rezultuar të jenë të rreme.