SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
Jelena Gjukanoviq është ‘dëshmia më e re’ për aktivitetet kërcënuese të Serbisë kundër Kosovës, që alarmon gjithashtu për ‘ndikimin potencial’ në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Përtej konfirmimit të një rrjeti spiunazhi (pas vendimit për Vlajiq) të ngarkuar me mbledhje informacioni sensitiv dhe operacione ndikimi, vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin Gjukanoviq, ka ngritur shqetësime edhe për integritetin e misioneve ndërkombëtarë si ai i OSBE-së.
Nëse raportet e kësaj organizate duhet të ‘konfirmohen’ paraprakisht në Beograd, kjo do të thotë se strategjia serbe e “viktimizimit” nuk ka ngelur në suazat e një tendence politike të izoluar.
Komunikimet e spiunes në Viber pretendojnë ‘dëshirën’ e shefit të OSBE-së, Davenport për ‘konsultim’ me ministrin Daçiq mbi versionin final të raportit që do të ‘përfshinte të gjitha sulmet e policisë ndaj serbëve’. Një ‘dëshirë’, e cila jo vetëm se do ta cenonte kredibilitetin e OSBE-së, por do ta kthente organizatën në platformë ndërkombëtare për narrativat manipuluese serbe.
Për nga përmasat, shumë më kërcënuese se përdorimi i misionit të UNMIK-ut në nivel të OKB-së, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo rastësisht po kërkojnë të mbyllet. Sepse, derisa misioni i UNMIK-u mbahet pas bllokadës ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, misioni i OSBE-së nuk e ka etiketën e ‘vetos’. Prandaj, ndikimi mbi pavarësinë dhe neutralitetin e tij do të kishte pasoja më serioze.
Fabrikimet ‘viktimizuese’ të Serbisë me “represionin ndaj popullit serb në Kosovë”, janë përmbajtje të ngjashme narrative me ato që ka përdorur Rusia ndaj Ukrainës para fillimit të agresionit ushtarak.
Mirëpo, nëse Rusia si fuqi më e madhe në skenën ndërkombëtare vazhdoi me invazion të plotë ushtarak, kjo s’do të thotë që Serbia është më pak destabilizuese në nivelin rajonal.
Për këtë arsye, rreshtimi i saj me “boshtin revizionist”, militarizimi me pretekstin e “rrezikut” nga aleanca tripalëshe (Kosovë, Shqipëri, Kroaci) dhe dyshimet që lidhen me Viber-in e spiunes Gjukanoviq, imponojnë kujdes më të madh ndaj grackave të ‘vogëlsisë ballkanike’.
Institucionet e sigurisë tashmë e kanë ekspozuar Serbinë si burim destabiliteti rajonal, mirëpo rreziku ka dimension të thellë gjeopolitik.
Vendimi i sotëm për Gjukanoviqin, së bashku me dënimin e shefit të saj, Aleksandër Vlajiq, dënimin e tre prej të akuzuarve në rastin “Banjska” dhe rastet e tjera që janë në proces, demonstrojnë kapacitetet institucionale të Kosovës për neutralizim, por ‘fantazmat e KGB-së’ kërkojnë përgjigje ndërkombëtare.