Serbia, përmes regjisorit Paul Kampf, ka realizuar filmin “Harvest” (2026), i cili trajton të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. Në këtë projekt kinematografik marrin pjesë aktorë të njohur ndërkombëtarë si Matthew McNulty dhe Angus Macfadyen, i njohur për rolin e tij në filmin “Braveheart”, si dhe një numër i madh aktorësh të huaj.
Sipas reagimeve në Kosovë, realizimi i këtij filmi shihet si pjesë e përpjekjeve të Serbisë për të ndërtuar një narrativë ndërkombëtare që kriminalizon luftën e UÇK-së përmes kinematografisë dhe projekteve kulturore.
Në reagim thuhet se ndërkohë që në Kosovë debati publik shpesh përqendrohet në çështje sipërfaqësore, Serbia po investon seriozisht në projekte që synojnë ndikimin në opinionin ndërkombëtar për luftën në Kosovë.
Po ashtu theksohet se kjo çështje bëhet edhe më shqetësuese në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, duke marrë parasysh armatosjen e Serbisë dhe zhvillimet strategjike në Ballkan. Në këtë kuadër përmendet edhe fakti se, sipas autorit të reagimit, listat e bashkëpunëtorëve të Serbisë në Kosovë nuk janë publikuar asnjëherë.
Në reagim ngrihet edhe shqetësimi për mundësinë e tensioneve të reja në të ardhmen. Sipas tij, nëse gjeneratat e mëparshme kanë përjetuar dy luftëra gjatë jetës së tyre, nuk përjashtohet mundësia që edhe gjeneratat e sotme të përballen me një tjetër konflikt.
Në fund, ai kritikon gjendjen e shoqërisë në Kosovë lidhur me çështjet kombëtare, duke thënë se shoqëria ose është në gjumë përballë këtyre zhvillimeve, ose ndodhet në një gjendje të rëndë shpërfilljeje ndaj tyre.