Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po përhapet me ritme alarmante, ndërsa sipas zyrtarit më të lartë humanitar të OKB-së, Tom Fletcher, virusi po merr jetën e një personi çdo 30 minuta.
Fletcher ka bërë thirrje për mobilizim urgjent ndërkombëtar, duke paralajmëruar se reagimi aktual nuk po arrin ta frenojë përhapjen e epidemisë.
“Ebola po fiton në Republikën Demokratike të Kongos. Nuk mund të lejojmë që virusi ta mbingarkojë reagimin tonë”, ka deklaruar ai pas një takimi urgjent me drejtues të agjencive të tjera ndërkombëtare.
Republika Demokratike e Kongos e shpalli epideminë e 17-të të Ebolës në historinë e saj më 15 maj, ndërsa dy ditë më vonë Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të autoriteteve kongoleze, vetëm tre muaj pas shpalljes së epidemisë janë konfirmuar 4,556 raste, ndërsa 2,128 persona kanë humbur jetën.
Fletcher ka paralajmëruar se epidemia po përhapet më shpejt se çdo shpërthim tjetër i regjistruar më parë në vend dhe se sistemet shëndetësore po përballen me mungesë të theksuar të burimeve dhe kapaciteteve.
Ai bëri të ditur se 20 punonjës shtesë janë dërguar në vijën e parë të reagimit.