Besohet se Cristiano Ronaldo ka mbajtur bisedime me krerët e Al Nassrit për trajnerin, Rudi Garcia, me superyllin portugez që është i pakënaqur me trajnerin francez.
Ndërsa sipas spekulimeve të fundit nga Arabia Saudite, Al Nassri veçse ka shkëputur bashkëpunimin me Garcian.
Ronaldo iu bashkua Al Nassrit në dhjetor të vitit 2022, pasi që nuk ishte më në planet e trajnerit të Manchester United, Erik Ten Hag, dhe pas intervistës bombastike ku e kritikoi rëndë klubin anglez.
Por, barazimi 0:0 kundër Al-Feiha si duket e ka lënë Ronaldon tejet të nevrikosur, ku raportohet se ai nuk është i kënaqur me Garcian.
“Diario AS” ka bërë të ditur se kapitenit të Portugalisë nuk po i pëlqen jeta nën urdhrat e Garcias, për shkak të paraqitjeve të fundit të skuadrës nën urdhrat e trajnerit francez.
“Mirror” dhe “Express” shtojnë se javët e fundit janë mbajtur “bisedime sekrete” mes hierarkisë së klubit dhe Ronaldos pas shpinës së trajnerit.
Dhe të dy mediumet kanë thënë se shtypi i vendit po raporton se klubi ka mbajtur anën e Ronaldos dhe ka vendosur të lërë Garcia të lirë.
/TV Arbëria