Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Akuzat e se Qeveria ndërhyri në raportin e auditimit, ZKA del me sqarim: Ishte gabim teknik

Akuzat e se Qeveria ndërhyri në raportin e auditimit, ZKA del me sqarim: Ishte gabim teknik

Zyra Kombëtare e Audimit, i ka mohuar akuzat e deputetes së Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Hykmete Bajrami se ZKA e ka ndryshuar Raportin Kombëtar të Auditimit, dy muaj pas publikimit në faqen zyrtare, i cili kishte gjetur mbi 31 milionë euro shpenzime të Qeverisë në karburante.

Në sqarimin e ZKA-së thuhet se ai ka qenë një gabim teknik.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022. Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.”, thuhet në sqarimin e ZKA-së.

ZKA ka thënë se me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj.

“Për hir të korrektësisë, njoftojmë opinionin publik se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur. Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €.”, thuhet tutje në sqarim.

Në sqarimin e ZKA thuhet se auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë lëshim teknik, ZKA-ja ka njoftuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si subjekt i audituar, Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) me të gjitha sqarimet e nevojshme.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguarministrit të Financave, Hekuran Murati në lidhje me shpenzimet e pushtetit për karburant, që raportohet se kapin vlerën e 31 milionë eurove.

Bajrami ka publikuar dokumentin në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se Raporti i Auditimit për vitin 2023 është korrigjuar.

“Për informatën e të gjithëve këtë raport e ka pasë si draft Hekuran Murati dhe krejt ekipi i tij, atëherë nuk i kanë vrejtë gabimet.

Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore.”, ka shkruar ajo.

Powered by WordPress