Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Aktgjykim refuzues ndaj kryetarit të grupit të tifozëve “Dardanët” dhe njërit të akuzuar

Aktgjykim refuzues ndaj kryetarit të grupit të tifozëve “Dardanët” dhe njërit të akuzuar

Prishtinë Gjykata Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krim të organizuar, fajde e vepra tjera penale, ka marrë aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarve Rrahim Brahimi dhe Luzlim Berisha, kryetar i grupit të tifozëve “Dardanët”, kurse janë liruar nga akuza të akuzuarit Dalip Brahmi, Bujar Gërbeshi dhe Ismet Salihu.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se të akuzuarit Dalip Brahmi, Bujar Gërbeshi dhe Ismet Salihu, kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Ndërkaq, për të akuzuarit Rrahim Brahimi dhe Lulzim Berisha, prokurori special Naim Abazi, në fjalën përfundimtare të dhënë më 15 dhjetor, ishte tërhequr nga ndjekja penale, me arsyetimin se nuk ekziston lidhja e duhur ne mes të gjendjes faktike me elementet e veprës penale për të cilat akuzoheshin të njëjtit.

Andaj, ndaj Brahimit dhe Berishës, gjykata mori aktgjykim refuzues.

Ndërsa, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrimit të ankesës kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor nga momenti kur aktgjykimi pranohet në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gerbeshi ngarkoheshin për veprën penale “Fajde” dhe “Krim i organizuar”.

Dalip Brahimi akuzohej edhe për veprën penale “Detyrimi” , Rrahim Brahimi për veprën penale “Fajde” dhe Lulzim Berisha për veprën penale “Fajde”.

Në këtë rast, për bixhoz të paligjshëm kanë qenë të akuzuar edhe Ismet Salihu e Alban Geci, por ata janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, pasi e kanë pranuar fajësinë. Të akuzuarit Geci, në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i është zëvendësuar me 3 mijë euro gjobë.

 

Themes by WordPress