Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Aktakuzë ndaj zyrtares financiare të Spitalit në Prizren për vjedhjen e afro 5 mijë eurove

Aktakuzë ndaj zyrtares financiare të Spitalit në Prizren për vjedhjen e afro 5 mijë eurove

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtares financiare të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, pasi përgjatë gjashtë muajve të vitit 2022, nga të hyrat e spitalit ka deponuar në llogarinë e saj bankare 4 mijë e 758 euro.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, e pandehura gjatë muajve qershor deri në dhjetor 2022, në cilësinë e zyrtares financiare ka pranuar mbi 36 mijë euro para të gatshme, prej tyre mbi 31 mijë euro i ka deponuar në llogarinë e Spitalit kurse mbi 7 mijë e 700 në llogarinë e saj personale.

“Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 Euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

/TV Arbëria

Themes by WordPress