Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër tre personave, K.Th., A.K., dhe J.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, A.K. dhe K.Th. janë kapur më 14 mars 2024 në Prizren në rrugën “Xhemaj Bjediqi”, duke poseduar dhe shitur substancë narkotike të llojit marihuanë.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të caktuar marihuanë dhe mjetet e dyshuara të fituara ilegalisht.
Në një rast tjetër, A.K. është akuzuar për shpërndarje të marihuanës në këmbim të qeseve plastike në rrugën “Ibrahim Rugova”, ndërsa J.B. është akuzuar për posedim të paligjshëm të marihuanës të marrë nga A.K.
“Të pandehurit A.K., dhe K.Th., me datë 14.03.2024, rreth orës 16:40 në Prizren, në rrugën “Xhemaj Bjediqi”, pikërisht prapa një furre të bukës, në cilësinë e bashkëkryerësve me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që derisa të pandehurit ishin të ulur në një tavolinë prapa furrës së bukës, ku kishin vendosur disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, hasen nga policia, me ç’rast policia ka gjetur dhe sekuestruar, në tavolinën ku po qëndronin të pandehurit marihuanë me peshë neto prej 0.60 gram, dhe një (1) qese plastike me peshe neto prej 2.42 gramë me marihuanë, ndërsa në motoçikletën të pandehurit A.K., janë gjetur dhe sekuestruar tridhjetë e pesë (35) qese plastike me marihuanë me peshë prej 73.63 gramë, një (1) qese plastike me marihuanë me peshë neto 49.63 gramë (pesha totale e substancës narkotike 126.28 gramë), një (1) peshore elektronike ngjyre hiri – mjet për matjen e narkotikut, si dhe pesëmbëdhjetë (15) euro, që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria ka propozuar që të gjykohet se të pandehurit janë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen.
“I pandehuri A.K., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta në Prizren, pa autorizim ka shpërndarë substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që takohet me të pandehurin J.B., në rrugën “Ibrahim Rugova” ku të njëjtit i jep në këmbim të 240 qeseve plastike që shërbejnë për paketimin e substancës narkotike, një dozë të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 0.27 gram. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së. Ndërsa, i pandehuri J.B., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, peshë prej 0.27 gram, të cilën substancë narkotike e kishte marrë nga i pandehuri A.K., në këmbim të 240 qeseve plastike. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Çështja pritet të vazhdojë në gjykatë pasi të përfundojë shqyrtimi dhe vlerësimi i provave nga autoritetet gjyqësore.